Financa

Njeriu që krijoi Bankën e Amerikës duke u dhënë kredi të varfërve


Thuajse asgjë nuk dihet për njeriun që themeloi perandorinë më të madhe financiare në botë.

Quhet Amadeo Peter Giannini, i lindur në vitin 1870 në San Jose, djali i emigrantëve të varfër ligurianë.

I mbetur jetim nga i ati në moshën 7-vjeçare, në moshën 12-vjeçare filloi të punonte natën si portier për një shitës perimesh me shumicë, në moshën 19-vjeçare u bë ortak dhe brenda pak vitesh magazina u bë një nga më të mëdhatë në San Francisko.

Gjatë kësaj kohe, martohet, bën disa investime në prona të paluajtshme dhe në moshën 31-vjeçare vendos t’u shesë aksionet e tij aksionarëve të tjerë për t’iu përkushtuar familjes dhe për të jetuar me të ardhura.

Këtu nis karriera e tij e vërtetë.

Vjehrri i tij e bind të bashkohet me bordin e drejtorëve të një banke lokale, Shoqëria e Kursimeve dhe Kredive Columbus.

Çka ai pa, nuk i pëlqeu.

Kreditë u jepeshin atyre që kishin para dhe që nuk e kishin të vështirë t’i shlyenin.

Por përreth, mijëra emigrantë që donin të bënin pasuri dhe që kishin nevojë për dikë që t’i besonte, detyroheshin të shkonin te fajdexhinjtë. Po ashtu duhet t’u paguanin bankave një normë prej 6 për qind për të dërguar para në Itali.

Nga puna me fermerët dhe tregtarët, Giannini e dinte se grupe të tëra shoqërore nuk mund të hapnin llogari kursimi apo të merrnin kredi nga bankat.

Paçka se ishin punëtorë që nuk ndërmerrnin rreziqe të mëdha.

Kështu, ai donte ta zgjeronte dhënien e kredisë edhe për këto kategori.

Por drejtuesit e bankës i thoshin se “kështu funksionon”.

U detyrua të jepte dorëheqjen nga banka dhe me 150 mijë dollarë hua nga njerku i tij dhe njëqind të tjera nga një duzinë miqsh, në vitin 1904 hapi një ish-sallon të Bankës së Italisë.

Klientët nisën të shkonin. Ata ishin nga të gjitha vendet dhe mes tyre edhe emigrantët italianë, të cilët dëgjuan thirrjen e tij:

“Kursimet tuaja të vogla mos i mbani nën dyshek, ejani t’i depozitoni në bankë dhe unë jap kredi duke filluar nga 25 dollarë për të blerë fara, për të mbajtur një lavanteri apo për të rregulluar dyqanin”.

Për t’i transferuar paratë familjes në vendlindje, ai kërkonte vetëm 3 për qind.

Brenda disa vjetëve, ai fitoi besimin e të gjithë popullsisë aktive dhe depozitat tejkaluan një milion dollarë.

Më 18 prill 1906, ra një tërmet që e shkatërroi San Francisko-n.

Pavarësisht shkatërrimeve dhe zjarreve, Giannini arrita ta shpëtojë kasafortën me monedha, ar dhe letra me vlerë brenda nga rrënojat.

Për ta mbrojtur nga grabitësit, e fshehu atë nën një ngarkesë me perime, mbi një karrocë të tërhequr nga dy kuaj.

Ndërkohë që të gjitha bankat vendosën të qëndronin të mbyllura deri në kthimin e normalitetit, brenda një jave Giannini hapi një banket prej druri në skelë me shenjën e Bankës së Italisë.

Atje vendosi një tabelë që thoshte: “Biznes si zakonisht”.

Më pas, informoi të gjithë mbajtësit e llogarisë së tij se banka do të vazhdojë t’i japë para kujtdo që dëshiron të rindërtojë shtëpinë ose dyqanin e rrënuar.

Katër muaj më vonë, San Francisco Examiner shkroi se “North Beach ishte lagja e parë që mori përsëri pamjen e saj. Në 4 muaj banorët kanë ngritur 542 struktura”.

Shumë citojnë shkathtësinë dhe shpejtësinë e veprimit të tij si një faktor përcaktues në rimëkëmbjen e San Francisko-s.

Në vitet në vijim, ai bleu një bankë të vogël, duke shtuar degë në Bankën e Italisë dhe duke ndjekur të njëjtin parim: duke ndihmuar ata që nuk kishin akses në kredi.

“Çdo bankë është një organ shërbimi publik. Nëse nuk është, duhet të jetë”, thoshte ai.

Asokohe, në SHBA, nuk kishte banka kursimi apo banka rurale si në Evropë. Por kishte institucione për të pasurit.

Në 20 vjet, kapitali i Bankës së Italisë arriti në 300 milionë dollarë. Më 9 nëntor 1924, New York Times raportoi se Giannini kishte iniciuar një plan që lejonte punonjësit të bëheshin pronarë të Bankës.

“E kanë ndërtuar, duhet ta kenë”, theksonte ai.

Giannini nisi të shpërndante çdo vit një “kompensim shtesë” për punonjësit e tij për t’u përdorur, nëse ata dëshironin të blinin aksione në bankë.

“Ka një mundësi të madhe në bankë për secilin prej tyre dhe mendoj se ky plan hap shpresë të madhe për ta. Për më tepër, nisma do të bëjë shumë të kërkuar punësimin në Bankën e Italisë dhe kjo do t’i garantojë institucionit një staf besnik dhe vigjilent”, thoshte.

Kurrë nuk mori një dollar më shumë se paga e tij.

Më 24 janar 1928, kur Banka numëronte 289 degë në Kaliforni, Giannini refuzoi të pranonte 5 për qind të fitimeve të Korporatës Bancitaly si pjesën e tij të fitimeve dhe i vendosi ato në dispozicion të Universitetit të Kalifornisë për zhvillimin e bujqësisë.

Shuma ishte 1.5 milionë dollarë.

Ai, në ato vite, iu afrua industrisë së filmit që u zhvendos nga Bregu Lindor në Los Angeles .

Ai besonte te Charlie Chaplin kur askush nuk i dha paratë për të prodhuar atë që është bërë kryevepra e tij: “Brat”.

Chaplin i kërkoi 14 mijë dollarë. Giannini ra në dashuri me skenarin. I dha 50 mijë dhe kërkoi 25 për qind të të ardhurave në këmbim. Kur filmi doli në kinema, u rendit i dyti në arkat e SHBA-ve.

Lëvizja e madhe erdhi në vitin 1930.

Atëherë, Banka e Italisë u bashkua me Bankën e Amerikës, një bankë e vogël në New York.

Kundër tij u ngrit i gjithë institucioni bankar, i cili prej disa kohësh e pengonte dhe e nënçmonte.

Biznesi i tij u zgjerua dhe bankierët e mëdhenj, ziliqarë për sukseset e tij, vazhduan prej vitesh ta luftonin në mënyrë të pamëshirshme, deri në akuzën e falsifikimit të llogarive.

Gjatë Depresionit të Madh të viteve 1930, teksa shumë banka dështuan sepse investuan në aksione që janë zhvlerësuar dhe nuk kishin më aktive, Banka e Amerikës nuk u prek.

E gjitha sepse financoi ekonominë reale.

Përcaktimi i tij ka qenë gjithmonë një: Kushtet e mira të aksesit në kredi mund t’u ofrojnë zejtarëve dhe bizneseve të vogla mjetet për t’u rritur dhe rritja e tyre do të jetë bazë për rritjen edhe të bankës.

Krahas kredive të vogla për njerëzit e thjeshtë, Giannini pranoi edhe klientë më të rrezikshëm që donin të investonin në vreshtari, duke ndihmuar zhvillimin e industrisë së verërave.

Kur Walt Disney kaloni buxhetin për xhirimet e Borëbardhës, Giannini miratoi një hua prej 1.7 milionë dollarësh.

Ai e bëri kredinë të arsyeshme, duke parë se banka kishte një fitim.

Giannini vdiq në vitin 1949 në moshën 79-vjeçare.

Banka e Amerikës është bërë banka më e madhe në botë, me asete prej 7 miliardë dollarësh dhe 526 degë në më shumë se 300 qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas vdekjes së tij, New York Times ka shkruar se “një inventar i kujdesshëm i pasurive të tij ka përcaktuar se ato arrijnë në 489 mijë e 278 dollarë, një shumë e vogël për një njeri suksesi”.

Në testamentin prej gjashtë faqesh, Giannini ia lë gjithçka një fondi filantropik të themeluar në vitin 1945, në ditëlindjen e tij të 75-të, që synonte të promovonte trajnimin e punonjësve dhe të financonte kërkimin mjekësor.

Ai iku duke lënë pas thirrjen “mos teorizo ​​për të mirën, bëje atë”.

Sot, të kërkosh në faqen e Bankës së Amerikës “Giannini”, nuk del asgjë.

Çka ai parashikoi nuk u realizua.

Giannini donte grumbullimin e burimeve financiare nga një komunitet për t’i kthyer ato në shoqëri, tek ata që i meritojnë dhe kanë ide për zhvillimin e iniciativave të dobishme.

Për të, grumbullimi i pasurisë ishte negativ, ndërsa në Amerikë dhe kudo në botë, është trashëgimia personale që i dallon personazhet e denjë për respektin më të madh.

Tanimë, ka operacione të pahijshme si riblerja e aksioneve të veta nga banka, kështu që çmimi i aksioneve dhe shpërblimi i menaxherit rriten.

Kush është në dijeni të këtyre operacioneve të blerjes?

Vetë menaxheri sepse e miraton blerjen e një numri të caktuar aksionesh, por që nuk tregon se kur, edhe pse e di, sepse ka informacione që i ka vetëm ai.

Bankat dhe fondet blejnë aksionet e njëra-tjetrës për t’u dukur mirë para investitorëve të tyre.

A është dikush si Giannini diku sot?

Ndoshta po, në bankat e vogla dhe të administruara mirë. Ama për ta bërë atë të spikatur, sipërmarrësve të vegjël duhet t’u thuhet: Votoni për bankierin tuaj!

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore