Libra

Njeriu irracional


Njeriu Irracional

Filozofi amerikan William Barrett, në librin e tij Njeriu irracional, të botuar për herë të parë më 1958, trajton sfondin filozofik të ekzistencializmit dhe po ashtu trajton më gjerësisht disa prej filozofëve më të mëdhenj ekzistencialistë, si: Søren Kierkegaard, Friedrich Nietzsche, Martin Heidegger dhe Jean Paul Sartre.

Vepra Njeriu irracional mund të thuhet se ndihmoi për të kontrabanduar ekzistencializmin në botën anglisht folese dhe si e tillë është identifikuar si një nga veprat më të dobishme që diskutojnë mbi këtë temë.

William Barrett-i jep një shpjegim të traditës filozofike në të cilën ekzistencializmi ishte një reagim, duke diskutuar pikëpamjet e filozofëve nga Platoni te Hegeli, dhe duke ndjekur zhvillimin e ideve në lidhje me qenien, ontologjinë dhe metafizikën.

William Barrett

Ai gjithashtu përpiqet të shpjegojë se si zhvillimet në shkencë, ekonomi dhe fe, ofruan sfondin e ekzistencializmit.

Sipas Barrett-it, “me protestantizmin fillon kjo luftë e gjatë moderne, e cila arrin kulmin në shekullin e njëzetë, për ta zhveshur njeriun lakuriq”.

Sipas pikëpamjes së tij, “ndërsa bota moderne lëviz më tej, ajo bëhet gjithnjë e më sekulariste në çdo departament të jetës, besimi rrjedhimisht bëhet i zbutur dhe njeriu protestant fillon të duket gjithnjë e më shumë si një skelet i tmerrshëm, një skulpturë nga Giacometti.

Qytetërimi e lë atë më të zymtë dhe më lakuriq sesa ikonoklazmi i Reformimit që kishte ëndërruar ndonjëherë”.

 

Barrett-i shkruan se gjatë periudhës moderne ka dalë një imazh i vetë njeriut që ka një aspekt të ri, të zymtë, më të zhveshur dhe më të diskutueshëm. Tkurrja e horizonteve të njeriut përbën një shpërthim, një zhvendosje të kësaj qenieje, e cila tani duhet të përballet me veten në qendër të të gjitha horizonteve të saj.

“Puna e kulturës moderne, kudo që ajo ka qenë autentike, ka qenë një punë e denudimit”.

Autori shkruan se lëvizja dada ishte një nga shpërthimet e vlefshme të irracionalizmit në këtë shekull.

Mendimtarët si Kierkegaard, Nietzsche, Heidegger dhe Sartre, marrin një vëmendje të zgjeruar nga Barrett-i, i cili shpjegon idetë e tyre kryesore dhe terminologjinë filozofike.

Søren Kierkegaard, Friedrich Nietzsche, Martin Heidegger dhe Jean-Paul Sartre

Ai trajton shkurtimisht edhe mendimtarë të tjerë ekzistencialistë, si: Karl Jaspers, Nikolai Berdyaev, Martin Buber, Miguel de Unamuno, Gabriel Marcel, Simone de Beauvoire, Albert Camus etj.

Në diskutimin e tij mbi Nietzsche-n, Barrett-i vë në pah se fati i Nietzsche-s është një nga episodet më të mëdha në efektin historik të njeriut për të njohur veten.

“Pas Nietzsche-s, problemi i njeriut nuk mund të bjerë më kurrë në nivel paraniçean”.

Kurse për Nietzsche-n, Barrett-i thekson se “ai është një nga njerëzit më të vetmuar që ka ekzistuar ndonjëherë”.

Së fundi, Barrett-i për profesionin e filozofit thotë se në kohën moderne është të jetë profesor filozofie por, specializimi sa më i thuktë i tij, në të njëjtën kohë e bën atë më të fokusuar në fushën e ngushtë të specializimit, por në anën tjetër shikimi i tij bëhet më i turbullt mbi çdo gjë që mbetet në periferi të fokusit të tij, gjë që dallon nga filozofët e antikitetit, pasi që tani ky filozof është më teknik e jo më multidisiplinar, shprehet Barrett.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore