Kosova

Një vit nga sulmi në Banjë, Manastiri mbyllet nga 23 deri më 26 shtator


Manastiri i Banjskes

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar të enjten se Manastiri në Banjë të Zveçanit do të jetë i mbyllur për vizitorë nga 23 deri më 26 shtator, që nënkupton edhe më 24 shtator, pikërisht në ditën kur bëhen një vit nga sulmi terrorist i paramilitarëve serbë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Përmes një komunikate për media, nga Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit ka thënë se mbyllja e manastirit për vizitorë për këto ditë po bëhet për “arsye sigurie dhe për të ruajtur paqen, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup paramilitarësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, kishin sulmuar Policinë e Kosovës.

Ata për një kohë të caktuar kishin qëndruar në Manastirin e Banjës, nga i cili pastaj, një pjesë e tyre, ishin larguar për në Serbi.

Gjatë ngjarjes së Banjës, manastiri kishte pësuar disa dëmtime të vogla, për shkak se terrositët serbë po fshiheshin aty.

Kosova, për këtë sulm, e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa, duke qenë se terroristët, posaçërisht kreu i tyre Radojiçiç ka lidhje të ngushta dhe është njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga ky akt terrorist, madje ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar njëzëri në termat më të ashpër këtë akt, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Ndryshe, më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore