Sport

Një vit në stol te Bayern Munich, Alexander Nubel: Nuk ishte vit i humbur


Alexander Nubel, kaloi nga Schalke 04 te Bayern Munich-u në verën e 2020. Por, eksperienca në Mynih nuk ishte ajo që priste 25-vjeçari.

Ish-lojtari i Paderborn-it u transferua si një talent premtues, por shumë shpejt e humbi rivalitetin me Manuel Neuer-in. Pothuajse i gjithë sezoni me bavarezët i shkoi duke i parë ndeshjet nga stoli.

Aktualisht, Nubel është dërguar në huazim dy-vjeçar te francezët e Monaco-s, ku po merr minuta. Këtë sezon është paraqitur në 20 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Gjermani duket i kënaqur në Francë, duke qenë se është zgjedhja e parë në portën e skuadrës nga principata.

“Unë luaj dy herë në javë në nivel të lartë”, the Nubel, duke shtuar se “Ky ishte qëllimi im. Ndryshimi ishte vendimi i duhur”.

Edhe pse ka qenë titullar në 13 ndeshjet e para në Ligue 1, Nubel e pranon se nuk është në nivelin e duhur.

“Nuk jam akoma aty ku dua të jem. Statistikat mund të ishin më të mira, por nuk jam i pakënaqur”, theksoi gjermani.

Gjithashtu ai shtoi se nuk dëshiron një rikthim të shpejtë te Bayern-i, nëse nuk arrin të marrë minutat e duhura. Po ashtu, ai vlerëson periudhën një-vjeçare që kaloi me kampionët e gjermanisë.

“Ishte një thikë me dy tehe. Pak paraqitje, por pak përparim për mua si lojtar. Nuk mendoj se ishte një vit i humbur”, tha Nubel-i për “Kicker”.

25-vjeçari në 20 paraqitjet e këtij sezoni, ka pësuar 21 gola dhe në pesë ndeshje e ka mbajtur portën të paprekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore