Lajme

Një veprim duhet ta bëjë qeveria që t’i ulë ndjeshëm çmimet e barnave në Kosovë – por nuk po e bën


Foto ilustrim nga Albanian Post.

Kosova bën pjesë në grupin e shteteve si Bjellorusia, si disa nga vendet e pakta që nuk kanë unifikim të çmimit të barnave.

Prandaj, barnatoret e Kosovës kanë një laramani të çmimeve pasi në asnjërën prej tyre medikamentet nuk blihen me çmim të njëjtë.

Zgjidhja, siç thonë vetë farmacistët, do të ishte e thjesht – vendosja e çmimit tavan.

Madje, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, në një bisedë për Albanian Post sqaron se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme nga ana e tyre.

“Kjo është njëra nga kërkesat kryesore që e kanë farmacistët në Kosovë. Për arsyeje se ndryshimet që ekzistojnë në çmime prej barnatores në barnatore, nga koha në kohë, nga dita në ditë janë duke shkaktuar çrregullime të mëdha në sektorin farmaceutik e që pasojat në fund po i bartin pacientët edhe farmacistët”.

Njëra nga barnatoret në Prishtinë. Foto: Albanian Post

Jakupi – megjithatë – pohon se nga ministria e Shëndetësisë kanë marrë konfirmimin se shumë shpejt do të përfundojë projektligji për çmime të barnave.

“Ne si Oda e Farmacistëve kemi pasur kërkesa të vazhdueshme për projektligjin për çmime dhe aktualisht projektligji për çmimin e barnave është draftuar në ministrinë e Shëndetësisë ka përfunduar puna dhe pritet shumë shpejt që të dal në diskutim publik”, thotë ai.

“Gjatë shtatorit pritet që të dërgohet në Qeveri dhe në Kuvend e pastaj për procedim të mëtutjeshëm për aprovim”.

Por, nga këndvështrimi i Besim Kodrës nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës duhet të vendosen kritere për personat që mund t’i caktojnë çmimet e barnave.

Madje, ai kritikon edhe projektligjin që është në proces të realizimit nga ministria e Shëndetësisë.

“Në bazë të ligjit që tentohet të bëhet, është një komision që përbëhet kryesisht nga ofrues të shërbimeve dhe akterë politikë, e nuk ka anëtar nga shoqëria civile që tregon se çmimi do të caktohet nga ta, pa praninë e atyre që e pranojnë shërbimin”.

Sipas tij, funksionimi në këtë mënyrë do të krijonte paqartësi.

“Kjo logjikë është në shpërputhje me kujdesin shëndetësor me pacientin në qendër dhe ekonominë e lirë të tregut”.

Ministria: Ka anëtar vëzhgues nga shoqëria civile

Por, Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se “në këtë ligj, me komente kanë kontribuar edhe ekspertë të jashtëm”.

“Çmimet e produkteve medicinale, sipas projektligjit do të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve referente të jashtme, ndërsa i ngarkuar për ta bërë këtë do të jetë Komisioni për çmime të produkteve medicinale, që do të këtë një përfaqësim nga MSH, AKPPM, Oda e Farmacistëve, Fondi i Sigurimeve dhe anëtarë vëzhgues nga shoqëria civile”.

Ministria thotë se ka “pritshmëri” që ky ligj të miratohet këtë vit si dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit të tij.

“Ky ligj, do të dërgohet në Qeveri për miratim pas përfundimit të fazës së konsultimeve publike, dhe pas miratimit në Qeveri kalon në Kuvend. Parashihet të zbatohet për qarkulluesit me pakicë dhe shumicë të produkteve medicinale, përfaqësuesit e mbajtësit të autorizimit për marketing, mbajtësit të autorizimit për marketing dhe institucionet publike”.

Ministria e Shëndetësisë.

Ky institucion sqaron mënyrën se si e kanë hartuar projektligjin dhe formën se si mendojnë se do të funksionojë projektligji për çmimet e medikamenteve.

Atë e kishte iniciuar Partia Demokratike e Kosovës.

Ky projektligj parasheh çmim maksimal të blerjes së produkteve medicinale nga Lista e Barnave Esenciale, kjo është një listë që përmban qindra produkte për trajtimin e sëmundje të ndryshme.

Ministria e Shëndetësisë e kishte përditësuar projektligjin për barna në vitin 2019.

MSH-ja kishte blerë “Paracetamol” shumëfish më shtrenjtë sesa që shitet në Kosovë

Më 26 korrik, përmes një raporti nga Instituti Demokratik i Kosovës është thënë se Ministria e Shëndetësisë e ka paguar rreth 280 për qind më shtrenjtë produktin paracetamol 1 gr për injeksion, në krahasim me vlerën në tregun me pakicë.

Sipas raportit, ky produkt në tregun me pakicë shitet për rreth 1.00 euro për njësi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka paguar 3.80 euro.

Njëra nga barnatoret në Prishtinë. Foto: Albanian Post

Ndërsa, nga MSH-ja nuk është komentuar ky raport.

Në vitin 2018, Ministria kishte ndërprerë një sërë kontratash për furnizim me barna të institucioneve publike shëndetësore, duke i cilësuar ato si abuzive, për arsyeje se barnat ishin blerë me çmim më të lartë se vlera në treg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore