“Një urë për propagandë”, Abdixhiku: Populistët brengë kanë votat dhe pushtetin – fushata ka nisur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë se po bënë “propagandë” me hapjen e Urë së Ibrit në Mitrovicë, derisa ka theksuar se “populistët brengë kanë votat dhe pushtetin” dhe se tashmë ka nisur fushata paraelektorale.
“Një Urë për propagandë. Propaganda e pushtetit sot më shumë është e drejtuar kundër faktorit politik shqiptar, sesa ndaj Serbisë dhe projektit të saj ndarës në Urën e Ibrit. Sepse populistët brengë kanë votat dhe pushtetin, prandaj dhe gjithë ky atak paraelektoral. Fushata ka filluar, por ne refuzojmë këtë përballje pa përmbajtje, prandaj dhe e injorojmë. Injorojeni edhe ju, të dashur qytetarë”, shkroi ai në Facebook.
Megjithatë, deputeti i LDK-së ka theksuar se “ura duhet të hapet” dhe se ka potencuar se nuk ka dhe nuk njeh pozicion tjetër politik shqiptar në Kosovë mbi këtë çështje tash e një çerek shekulli.
“Ura, megjithatë, nuk është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe të SHBA-ve mbi sigurinë. Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni”, shtoi.
“Në të kundërtën, hapja e urës pa ta, nënkupton konfrontim me ta. Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t’i pranojë e as nuk do t’i tolerojë”.
Prandaj, ai ka shuar se një kryeministër serioz do duhej t’i vlerësonte të gjitha këto para se të fusë shtetin në një rrugëtim.
“Por ne kemi Kryeministër për propagandë. Prandaj, mos shpenzoni kohë në këtë fushatë paralektorale të popullistëve”, potencoi Abdixhiku.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com