Shqipëria

Një tjetër mjek…


Një tjetër mjek…

Të gjithë do të donim që vazhdimi i kësaj fjalie të mos jepte më një lajm të trishtë.

Mjekun, njeriun që shpëton jetë, virusi ka mundur t’i marrë jetë. Në disa raste me forcë e në disa të tjera heshturazi, ai ka marrë shpëtimtarët tanë.

Teksa sheh titujt që japin lajmin e një tjetër mjeku që ndal së frymuari, rrëqethesh dhe belbëzon “Përsëri?”. Të kujtohen humbjet që kanë ndodhur më parë dhe pezmatohesh se nuk është fundi që duhej për ta.

Covid-i deshi që në radhën e shpëtimtarëve të ikur të jetë edhe doktor Gerond Husi. I infektuar prej disa ditëve nga virusi jetëmarrës, doktor Gerondi duhej të shkonte në Turqi për shkak se gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar.

Lajmin e trishtë e dha mjeku Tritan Kalo, i cili e ka quajtur ngjarjen të pabesueshme, por dhembshurisht të vërtetë.

I pabesueshëm ishte edhe lajmi i trishtë për mjekun Petro Shano. Më parë, doktor Petro ka mbajtur detyrën e shefit të Infektivit. Për ironi, pas disa ditësh përballje me virusin, Infektivi u kthye në vendin e largimit të tij nga jeta.

A ju kujtohet doktor Drini?

Emrin e tij tanimë po e mban gjallë Shërbimi i Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Edhe vetë dhjetori do jetë dridhur nga ikja e tij. Drini Dobi po kurohej në një spital në Itali ku dhe virusi i mori jetën.

“Drini ishte i rrjedhshëm si Drini, në mirësinë e tij. Drini ishte i rrjedhshëm si Drini, në profesionin e tij”, janë shprehur kolegët e Universitetit të Mjekësisë mes kujtimesh të lëna prej tij.

Rrjedha mori edhe një tjetër mjek, Mihal Kërcin. Ai ishte njëkohësisht edhe kryetar i Shoqërisë Anestezi – Terapi Intensive dhe u kujtua nga miqtë e tij si një njeri që arrinte të shkrinte bashkë shkencën dhe pasionin duke iu përçuar brezave që vijnë dashurinë për profesionin e mjekut.

Edhe shumë të tjerë e deshën këtë profesion, por pandemia nuk deshi…

 

Anibal Byberi, mjek i përgjithshëm, Bajram Curri

Astrit Hzairi, mjek i përgjithshëm, Kukës

Arjan Pushi, mjek hematolog, Tiranë

Agron Menzelxhiu, kirurg, Elbasan

Memo Boçi, epidemiolog, Tiranë

Hysni Shkjau, mjek familje, Pukë

Vilson Topulli, epidemiolog, Tiranë

Zyliha Kraja, kirurge, Shkodër

Esat Pashaj, mjek i përgjithshëm, Skrapar

Muharrem Xhepexhiu, mjek familjeje, Lushnjë

Sefer Dervishi, mjek familjeje, Kavajë

Ilirjan Draçi, mjek i përgjithshëm, Tiranë

Hidajet Deda, pediatër, Kavajë

Eduart Dhamo, mjek i përgjithshëm,Lushnjë

Sefer Dervishi, mjek i përgjithshëm, Kavajë

Shaqir Shehu, kirurg, Kukës

Ibrahim Kaziu, pneumolog, Dibër

Ferdinand Shkrepa, okulist, Elbasan

Bledi Nini, otorinolaringolog, Tiranë

Myftar Zemani, mjek familjeje, Fier

Leonard Kamberi, gjinekolog, Vlorë

Suela Muça, gjinekologe, Tiranë

Raimonda Lëngu, mjeke familje, Tiranë

Flutura Hashorva, pneumologe, Tiranë

Sali Baco, neuropsikiatër, Elbasan

Hiqmet Musta, radiolog, Kavajë

Aleksandër Hoxha, anestezist

Muharrem Nonaj, otorinolaringolog, Skrapar

Josif Dena, endokrinolog, Berat

Rustem Keko, mjek i përgjithshëm, Përmet

Fatos Zaçe, mjek pediatër, Durrës

Llambro Bala, dermatolog, Vlorë

Gëzim Lamaj, ekografist, Berat

Mehmet Demrozi, radiolog, Kavajë

 

Kërkoj falje nëse ndër këta emra mungojnë të tjerë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore