Lajme

Një tjetër grua i bashkohet padisë civile për dëmshpërblim kundër Andrew Tate


Një grua e katërt britanike i është bashkuar një padie civile për dëmshpërblim kundër Andrew Tate, duke pretenduar se ishte viktimë e abuzimit seksual dhe fizik nga ai.

Gruaja i bashkohet tre pretendueseve të tjera, të cilat kanë thënë në prill se synonin të fillonin procedimin kundër tij.

Tani 30 vjeçe, ajo ishte në universitet në vitin 2014 kur u takua me Tate gjatë një nate jashtë në qytetin e tij të lindjes, Luton.

“Fillimisht, ai ishte shumë i sjellshëm dhe simpatik dhe unë përfundova duke shkuar në shtëpi me të”, ka thënë gruaja.

“Gjatë kryerjes së marrëdhënies seksuale, ai filloi të më mbyste dhe më mbyti aq fort sa humba ndjenjat. Mendova se do të vdisja. Kur u zgjova, ai vazhdonte të më përdhunonte. Është e vështirë ta thuash këtë sepse është shumë shqetësuese, por kështu ishte”.

Sipas saj, vendimi për të dalë u nxit nga “leximi i tregimeve për gratë e tjera që ishin mjaft të guximshme për të folur për Tate”.

“Unë shpresoj që historia ime do t’i ndihmojë gratë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë pasi është më e lehtë të flasësh kur e kupton se nuk je vetëm”, ka treguar ajo.

Sipas firmës ligjore McCue Jury & Partners, qëllimi i padisë është të kërkojë “drejtësi, llogaridhënie dhe kompensim për viktimat e Tate”, si dhe të inkurajojë “një hetim penal në Mbretërinë e Bashkuar për krimet e Tate me shpresën e ndjekjes dhe dënimit të tij, përveç akuzave me të cilat përballet në Rumani”.

Katër gratë në fund të të 20-tave dhe në fillim të të 30-tave po ndjekin një proces civil kundër Tate për shkelje të dyshuara midis viteve 2013 dhe 2016 ndërsa ai jetonte ende në Mbretërinë e Bashkuar.

Një fushatë Crowdjustice për të mbështetur veprimet ligjore kundër Tate ka marrë më shumë se 500 donacione që arrijnë në 15 mijë paund.

Tate, një shtetas britaniko-amerikan me më shumë se 6.5 milionë ndjekës në Twitter, u vendos në arrest shtëpiak në Rumani në prill pasi një gjykatë rrëzoi një kërkesë të prokurorëve që ai të ndalohej.

Krahas vëllait të tij dhe dy grave rumune, Tate përballet me akuzat për përdhunim, trafikim njerëzish dhe krim të organizuar. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Pretendimet në çështjen civile kanë të bëjnë me dëmtimin personal dhe dëmtimin psikiatrik si rezultat i supozimit të sulmit të dhunshëm seksual dhe fizik, si dhe të kontrollit shtrëngues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore