Një test për “mendjen e ndërrueshme” të Sanchezit: Junts kërkon njohjen e Kosovës në seancën e fundit plenare

SHFLETO

Pedro Sanchez

 

Armat Matoshi
24.06.2024 11:17
Loading Icons...

Në një artikull të gazetës spanjolle “La Razon” rreth iniciativës së lëvizjes katalanase “Junts” për njohjen e Kosovës nga Spanja, duke pasur parasysh “mendjen e ndërrueshme” të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, paralajmërohet se gjërat mund të ndryshojnë në çdo moment në favor të vendit të vogël ballkanik, i cili kërkon t’i njihet pavarësia nga Spanja.

“Spanja, aktualisht, ka qenë larg së mbështeturi Kosovën, por duke marrë për bazë ‘mendjen e ndërrueshme’ të Sanchezit, gjërat mund të ndërrojnë nga një moment në tjetrin. Përgjatë mandatit të kryeministrit socialist ka pasur tashmë një kthesë diametrike në politikën e jashtme”.

Një nga pesë vendet në Bashkimit Evropian (BE) dhe një nga katër vendet e NATO-s që refuzon të njohë Kosovën, shteti spanjoll vazhdimisht etiketon hapin unilateral të Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndonëse perëndimi vazhdimisht rithekson se njohja e Kosovës paraqet një rast sui generis dhe nuk mund të shihet si një precedent për ndonjë situatë tjetër.

Spanja është zotuar se nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, atëherë do të ndryshojë edhe qëndrimin ndaj Kosovës. E frika nga secesionizmi katalonjas gjithashtu luan rol në pozicionin spanjoll.

“Çështja e Kosovës ka qenë gjithmonë e rrethuar me polemika që kur krahina e vogël u shkëput nga Serbia përmes një deklarate të njëanshme të pavarësisë në shkurt 2008. Kjo rrugë për të arritur pavarësinë i referohet drejtpërdrejt asaj që separatistët u përpoqën të bënin në Katalonjë në vitin 2017 dhe kjo gjithmonë ka nxitur dyshime në qeveritë e ndryshme spanjolle”.

“Megjithatë, nga një qasje konstruktive, ajo [Spanja] konsideron se është koha për të bërë përpjekje të konsiderueshme për zgjidhjen e çështjes së territorit të Kosovës në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në kuadët të një marrëveshjeje që respekton të drejtën ndërkombëtare”.

Ndryshe, shanset që Spanja të lëvizë drejt njohjes së Kosovës konsiderohen të ulëta aktualisht, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes.

Pse Spanja (s’)mund ta njohë Kosovën sikurse Palestinën?