Kosova

Një shtet i aleancës “Five Eyes” kreu hetime për terrorizmin e 24 shtatorit në veri


Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, njoftoi se një vend i aleancës së intelegjencës Five Eyes (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Australia, Kanada dhe Zelenda e Re) është duke kryer hetime për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Duke qenë se në këtë fazë asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve për sulmin paramilitar të 24 shtatorit, deputetja britanika kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në sulm.

“Unë e di që një vend tjetër – një vend i Five Eyes – realizoi me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë rezultatet. Kështu që, unë mendoj se Britania e Madhe duhet të dal me rezultate, duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi sepse [presidenti i Serbisë, Aleksandër] Vuçiç, ende thotë se ajo që ndodhi, nuk ka ndodhur”, deklaroi Kearns.

The Five Eyes (FVEY) është aleancë e shërbimeve inteligjence midis pesë shteteve anglishtfolëse. Shpesh kualifikohet si aleanca më e vjetër dhe më e suksesshme e inteligjencës në histori. Five Eyes është një rrjet i inteligjencës i cili është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore midis SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore