Gatimi

Një robot si ndihmëskuzhinier


Nicolas Maire është modeli i një kuzhinieri profesionist francez me vite përvojë dhe 18 yje Michelin nën petkun e tij.

Sot, artin e tij, ai e ushtron brenda një selie të gjerë korporate në periferi të Gjenevës.

Maire punon për Firmenich, biznes me origjinë në industrinë e parfumeve themeluar në vitin 1895.

Nuhatja e tij për një treg të ri e pa atë të diversifikohej në përbërësit e ushqimit. Kjo pasi vihej re se oreksi i publikut për alternativa ndaj mishit çoi në mbushjet e rafteve të supermarketeve me ushqime me bazë bimore.

Kompania thotë se ekziston një treg global prej 25 miliardë dollarësh për ushqimet me bazë bimore, të cilët zëvendësojnë mishin dhe beson se ky treg do të rritet në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2030.

Për të ndihmuar në perfeksionimin e shijeve të këtyre ushqimeve inovative, Maire ka një ndihmëskuzhinier të ri, Sam, robot me Inteligjencë Artificiale (AI).

Së bashku me një ekip kuzhinierësh, Sam ndihmon në përzierjen e një grupi të madh shijesh për klientët.

Te njerëzit, shqisa e shijes buron nga gjuha, si dhe pjesë të tjera të gojës e të grykës, të cilat përmbajnë grumbuj qelizash të lëkurës që quhen sythat e shijes. Një nga këta ka deri në njëqind qeliza receptore.

Çdonjëra prej tyre mund të ndiejë një nga katër shijet: të thartën, të kripurën, të ëmblën ose të hidhurën.

Samit i mungon kjo shqisë e shijes, por ai është trajnuar nga një bazë të dhënash të përbërësve të mbledhur nga kompania për rreth 60 vite.

Duke përdorur një teknikë të quajtur mësimi i makinerisë, ajo ka kaluar nëpër shembuj të kombinimeve të shijeve dhe ka krijuar përkufizimet e veta.

Eric Saracchi, i cili drejton anën digjitale të Firmenich, thotë se shijet janë “më komplekse se parfumet”, dhe Sam duhej të kuptonte se çfarë është një luleshtrydhe, ose çfarë shije ka viçi i pjekur në skarë, përpara se të gjente përputhje mes shijeve dhe produkteve ushqimore bimore.

Roboti është i mbushur me aq shumë përbërës, saqë njihet si “një piano me 5 mijë çelësa”.

Ajo piano luhet nga ekipi i kuzhiniereve të kompanisë.

Degustuesit kryesorë janë aromatizuesit mjeshtër, dhe nga rreth 30 në botë, gjashtë punojnë në Firmenich.

Krijuesit e shijeve janë kaq të rrallë, “nuk mund t’i zëvendësosh, por vetëm mund t’i përmirësosh”, thotë Saracchi.

Sam merr njohuritë e degustuesve dhe gjeneron formula të reja në minuta. Kohë shumë më e shkurtër sesa do i duhej një ekipi degustuesish.

Një avantazh i madh i një roboti AI është se ai nuk ka shije subjektive. Kjo mungesë e paragjykimeve njerëzore e ndihmon Firmenich të kapërcejë çdo prirje të pavetëdijshme të shijuesve.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore