Kosova

Një nga dy të dyshuarit për spiunazh, dëshmitar i ZPS-së në gjyqin ndaj UÇK-së


Bedri Shabani

Besnik Berisha, avokat i njërit prej dy të dyshuarve për spiunazh, pas përfundimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deklaroi para gazetarëve se ndaj klientit të tij nuk ekziston asnjë provë, derisa njoftoi se i dyshuari është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë të Holandës në rastin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Jam i lumtur që ajo që dëgjuam sot nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunuar në Serbi. Nuk pati mundësi prokurori për ta zbuluar një transkript të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm… Prandaj, ky spektakël është gabim”, deklaroi Berisha, avokat i të dyshuarit për spiunazh, Bedri Shabani, i cili është arrestuar gjatë javës.

“Ai është dëshmitar i prokurorisë në Hagë – nuk është rast konfidencial sepse nuk do ta zbuloja këtu… Ai mendon se është duke u persekutuar nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij – nuk e di për cilin rast [të ZPS-së] sepse janë disa raste [në procesin gjyqësor ndaj UÇK-së], por ai refuzoi masat mbrojtëse”, shtoi ndër të tjera Berisha pas përfundimit të seancës gjyqësore.

Ndryshe, dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe ngarkohen me veprën penale “spiunazh”. Në bazë të raportimeve të mediave vendore, personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA). Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) kërkoi masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore