Lajme

“Një foshnjë për të ulur borxhin e studentëve”, propozimi i kryeministrit japonez shkakton polemika


Kryeministri japonez Fumio Kishida është vënë nën kritika pasi partia e tij sugjeroi lehtësimin e borxhit të studentëve për ata që kanë fëmijë në një përpjekje për të frenuar rënien e natalitetit në arkipelagun japonez.

Kishida premtoi në fillim të vitit masa “të paprecedentë” për të luftuar kundër rënies së natalitetit në Japoni, një problem kronik dhe gjithnjë e më akut.

Formacioni politik i Fumio Kishida, Partia Liberal Demokratike (PLD, e djathta konservatore), po punon për propozime të ndryshme mbi këtë temë, të cilat duhet t’i paraqiten qeverisë deri në fund të marsit sipas mediave lokale.

Por një nga këto propozime, që kushtëzon uljen e borxhit të studentëve me foshnjë, ka ngritur një valë kritikash.

“Kërkimi i një fëmije në këmbim të reduktimit të borxhit të studentëve është një masë e keqe për të trajtuar shkallën e ulët të lindjeve”, tha senatori Noriko Ishigaki të premten gjatë një debati në Dhomën e Lartë të Parlamentit japonez në prani të kryeministrit.

Fumio Kishida tha pak për përmbajtjen e propozimit, duke preferuar të këmbëngulë në nevojën e “respektimit” të një debati “të lirë dhe të fuqishëm” mbi këtë temë.

Gati 30 për qind e 125 milionë banorëve të Japonisë janë të moshës 65 vjeç e lart, një rekord botëror pas Monaco-s.

Dhe numri i lindjeve në vend ra në vitin 2022 nën shifrën 800 mijë, një nivel i ri i ulët që nga fillimi i këtyre statistikave në 1899 dhe pothuajse gjysma e 40 viteve më parë, sipas shifrave të qeverisë të publikuara në fund të muajit shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore