Lajme

Një ‘fake news’ 2700-vjeçar


Nëse dëshiron përgjigje të mëdha, fillo nga të voglat. Për shembull, mund të merret si rast skulptimi i strukturës prej alabastri, e njohur si Gjuetia e Luanëve nga Ashurbanipal-i.

Një vështrim i parë i kësaj relikeje, ngjall te personi konfuzion. Por, më parë, ajo zbukuronte muret e pallatit mbretëror në Nineveh, Mesopotaminë e Sipërme, dhe jo rastësisht.

Shigjeta të shënjuara drejt disa luanëve, nga mbreti asirian, Ashurbanipal, i jep nder dhe lavdi këtij të fundit. Me këndvështrimin e sotëm, mesazhi do të ishte i qartë: Mbreti është aq i fuqishëm, sa po vret thjesht me shigjeta luanët.

Jo vetëm kaq, por po i poshtëron ata.

Por, një vath i stërmadh në veshin e majtë të mbretit, mund të rrëzojë gjithë mitin dhe historikun e kësaj skulpture.

Një vath, që është aq i madh, sa duket sikur do e shkulë veshin nga vendi. Me shtatë shigjeta të vogla që drejtohen për poshtë, të gjitha me maja të mprehta, a thua se do e marrë nga sekondi në sekondë, për ta kthyer në armë.

Një çështje tjetër që duhet kuptuar, është roli i luanëve në atë kohë, plot 2 mijë e 700 vjet më parë. Nëse sot luanët shihen si kafshë që duhen mbrojtur për të mos rënë pre e zhdukjes së tyre, në atë kohë, numri i tyre ishte aq i madh, sa paraqisnin rrezik për njerëzit.

Një rrezik, që në atë kohë, menaxhohej nga mbretërit asirianë

Një luftë e gjuetarit dhe të gjuajturit, është ajo që shfaqet në skulpturat e qytetërimeve të lashta. Që nga ato të Mesopotamisë, Egjiptit të Lashtë, Romës etj.

Por, një poeti amerikan të shekullit të XX-të, William Carlos Williams, i ra në sy një gjë: Nëse mbreti është kaq i fuqishëm, nëse ai arrin të mposhtë vetëm me shigjeta jo një luan, por disa, atëherë përse në çdo panel tjetër që shtohet në skulpturën e alabastrit, shfaqen luanë të tjerë?

Williams kap cilësinë e çlirimit nga rreziku i luanit, por ndryshe. Një portretizim i një çasti historik, në të cilin një shigjetë e palëshuar ende, është njëkohësisht një shigjetë që godet shënjestrën. Koncepti i kohës fillon dhe ndalet aty, në një panel.

Një hero i fuqishëm dhe një rival i glorifikuar, për të fuqizuar më tej heroin. Një lloj simpatie që krijohet për “antagonistin” (luanin), vetëm për faktin e fuqisë së transmetuar nga gjuetari.

Pikërisht këtu, simbolika e vathit merr jetë

Ai vath duket si një formë e rrezeve të diellit. Në Mesopotami, simbol i cikleve jetësore dhe i burimit të çdo jete mbi tokë.

Por arsyeja e fshehur, është se, nëpërmjet diellit, përfytyrohej edhe zoti shigjetar Ashur. Nga këtu, edhe emri i mbretit Ashurbanipal. Pra, një sinonim tërësor i një zoti mbi tokë.

Dhe në mitologjinë akoma më të hershme mesopotame, zoti Ashur kishte një marrëdhënie të veçantë me një kafshë – pikërisht luanin.

Dielli, në atë sfond të replikës, lexohet në majat e shigjetave dhe kthetrat e luanit.

Pra, tabloja, nuk është thjesht një pasqyrim i zhdukjes së një të keqeje që kishte rënë në Mesopotami. Nuk është zhdukja e një kafshe që po kërkonte të zhdukte vetë njerëzit, por një bashkim.

Mbreti dhe luani, ishin një!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore