Lajme

Një e treta e ndërtuesve kinezë mund të përballet me probleme, teksa kriza e Evergrande përhapet


Në Kinë, një e treta e ndërtuesve të pronave do të luftojnë për të shlyer borxhet e tyre në 12 muajt e ardhshëm.

Agjencia e lajmeve “The Guardian”, tregon se kjo ka ardhur pasi sektori vuan gjithnjë e më shumë nga rënia e shitjeve, qasja e kufizuar në kredi dhe një rënie më e gjerë.

Edhe nëse kompania e pronave, Evergrande, arrin të shlyejë borxhin, analistët kanë paralajmëruar se shumë kompani të tjera të pronave mund të shkojnë drejt falimentimit.

Infektimi financiar që përfshin sektorin përfaqëson një rrezik serioz për Kinën dhe ekonominë globale, pasi modeli i tij i rritjes, i drejtuar nga investimet dhe ndërtimi, nis të thyhet nga borxhet marramendëse.

Problemi qëndron në faktin se kjo rënie paraqitet intensive, referuar analistëve.

Në tërësi, shkruan “The Guardian”, sektori kinez i pronave ka borxhe sa një e treta e të gjithë PBB-së së vendit dhe afërsisht e barabartë me të gjithë prodhimin e ekonomisë japoneze, e treta më e madhja në botë.

“Besojmë se mospagesat do të rriten teksa firmat hyjnë në një cikël të zgjatur rënieje, mes rrezikut të rritur të rifinancimit dhe mureve të pjerrëta të maturimit që do të mbarojnë këtë vit dhe vitin e ardhshëm”, ka dalluar vlerësuesi S&P në raportin e kësaj jave.

Gjithashtu “në skenarin më të rëndë, likuiditeti i një të tretës së zhvilluesve të vlerësuar kinezë do të vihet nën presion. Subjektet më të rrezikuara vlerësohen në masë dërrmuese nga ‘B-‘ në ‘B+’. Mbi 50 për qind e portofolit tonë të vlerësuar të zhvilluesve kinezë bie në këtë kategori vlerësimesh”.

Analistët e S&P besojnë se Evergrande ka të ngjarë të mos paguajë borxhin.

Një zhvillues më i vogël, Kaisa, është një tjetër firmë në qendër të vëmendjes, pasi u ul në vlerësimin ‘CCC’ nga S&P.

Pas Evergrande, ajo u detyrohet më shumë zotëruesve të obligacioneve të huaja, me borxhe prej 12 miliardë dollarësh.

“E shohim strukturën e kapitalit të Kaisa-s si të paqëndrueshme, duke pasur parasysh maturimet e konsiderueshme të borxhit afatshkurtër të kompanisë, dobësimin e likuiditetit dhe rrjedhën e pamjaftueshme të parasë së lirë deri në vitin 2022”, kanë dalluar analistët e S&P.

Ata besojnë se “kompania ka rrezik të lartë rifinancimi”.

Sipas “The Guardian”, mbajtësit e obligacioneve janë përpjekur të nxjerrin informacione për situatën financiare të Evergrande që kur spiralja e vdekjes së saj financiare u bë e qartë në muajin shtator.

Kohë kjo, kur kompania pranoi se mund të mos ishte në gjendje të përmbushte të gjitha borxhet, të cilat përfshijnë një detyrim për të përfunduar deri në 1.6 milionë shtëpi në Kinë për të cilat e ka marrë pagesën.

Përpjekjet për të shkarkuar asetet e saj më fitimprurëse kanë qenë të pasuksesshme dhe kompania kineze nuk mund të shesë mjaftueshëm shtëpi sepse i gjithë tregu i banesave është në rënie.

Nga ana tjetër, ky vit ka parë rënien më të gjatë që nga viti 2015 teksa shitjet e pronave sipas sipërfaqes ranë me 15.8 për qind në shtator, rënia e tretë mujore radhazi.

Ndërkaq, mësohet se një grup firmash këshilluese kanë ndërmarrë hapin e parë për të rregulluar bisedimet midis Evergrande dhe kreditorëve, duke rritur perspektivën për më shumë qartësi se kur dhe si kompania mund të përmbushë detyrimet e saj.

Gjithashtu rregullatorët e Kinës u kërkuan kompanive këtë javë që të përgatiten në mënyrë proaktive për shlyerjen e principalit dhe të interesit për obligacionet e tyre të huaja dhe “të ruajnë reputacionin e tyre dhe rendin e përgjithshëm të tregut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore