Lajme

Një dozë e tretë e vaksinës, a do të shpëtonte Kosovën nga Coronavirusi?


Administrimi i një dozë të vaksinës në Kosovë

Më 28 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media tha se ekzekutivi kosovar është bërë gati për të negociuar dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.

“Ne si Qeveri, qysh tashmë, jemi bërë gati për të negociuar dhe siguruar edhe dozën e tretë që ta kemi në kohë të gatshme, nëse paraqitet nevoja”, deklaroi Vitia.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, e njëjta u tha edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Rekomandimi i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, është që të ketë vaksinim edhe me dozën e tretë në Kosovë, atëherë komision veç se do të fillojë negociata me kompaninë me të cilën kemi kontratë, por pa përjashtuar edhe prodhues të tjerë në mënyrë që të sigurohen edhe dozat e treta të cilat tashmë disa vende kanë filluar t’i aplikojnë”, thuhet nga MSH-ja.

Por, ende nuk dihet se a do të ndikojë një dozë e tretë e vaksinimit në uljen e rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një prononcim për Albanian Post, tha se prioriteti i Kosovës duhet të vazhdojë të jetë intensifikimi i vaksinimit me dozën e parë dhe të dytën.

“Për momentin Kosova, është duke kaluar ditët më të rënda që nga fillimi i pandemisë, andaj energjia e gjithësecilit përpos vaksinimit duhet orientuar në zbatimin e masave të tjera individuale, me qëllim të zbutjes së kësaj faze aktuale dhe shume delikate të pandemisë në Kosovë”, thotë Syla.

Sipas tij, për dozë të tretë duhet që të jenë parasysh aspektet shkencore, shëndetësore, etike, ekonomike si dhe të barazisë.

“Secili vend ka po ashtu struktura të ndryshme të popullatës. Disa vende kanë filluar vaksinimin para 8 muajve, andaj edhe imuniteti te disa kategori të popullatës me imunitet të dobësuar mund të bie, sidomos në praninë e variantit Delta”.

Ai thekson se, “autoritetet vendore, vendimet që i marrin duhet të i mbështesin në evidencën shkencore ndërkombëtare, karakteristikat si dhe në specifikat vendore”.

Blerim Myftiu, profesor universitar në fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, është shprehur për Albanian Post se nëse një dozë tjetër e vaksinimit planifikohet për të ulur rastet në Kosovë, kjo nuk do të ketë ndikim.

“Nëse është fjala për dozën  e tretë dhe ndikimin e saj në uljen e rasteve në Kosovë, mendoj se jo. Kosova nuk ka arritur të vaksinojë ende me dozë të parë të gjithë popullsinë, lëre më dozë të dytë vetëm rreth 25-30% të popullsisë janë të vaksinuar deri tani”, ka thënë Myftiu.

Sipas tij, i tërë fokusi i qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet të jetë në drejtim të përfshirjes së numrit sa më të madh të njerëzve në vaksinimin me dy doza standarde.

“Këtu mendoj se Qeveria duhet të përdor mekanizma detyrues apo obligues për ta bërë këtë. Atëherë, kur arrijmë ta vaksinojmë tre të katërtat e popullatës, ndoshta mund të flasim për dozën e tretë apo dozat përsëritëse në baza vjetore”.

Myftiu, thotë se autoritetet kryesore ndërkombëtare të shëndetësisë, si OBSH-ja dhe CDC-ja amerikane, ende nuk kanë thënë se mbështesin aplikimin e dozës së tretë të cilësdo vaksinë.

“Amerikanët e kanë kufizuar aplikimin e dozës së tretë vetëm për personat me imunitet të dëmtuar, qoftë për shkak të sëmundjes apo terapisë. Me gjasë, muajin tjetër mund të kemi rekomandime zyrtare nga autoritetet e lartcekura se edhe doza e tretë duhet”.

Në anën tjetër infektologu, Gezim Morina, mendon se fokusi kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës duhet të vazhdojë të jetë vaksinimi komplet i popullatës me dy vaksinat bazike.

“Për dozën e tretë, ende nuk ka të dhëna të sakta a është e nevojshme të jepet edhe si do të sillet virusi në të ardhmen çfarë modifikimi do të ketë (mutacione gjenetike), dalja e varianteve të reja si varianti kolumbian MU B.1.621 që po dyshohet që është rezistent ndaj vaksinës”, u shpreh Morina për AP.

Ai shton se, “vetëm me vaksina krijohet një imunitet i popullatës sonë me ketë ndalet rritja e numrit të rasteve pozitive si dhe vdekjeve. Mbingarkesa e sistemit shëndetësor, është urgjente në vendin tonë që të mos pëson kollaps sistemi shëndetësor i vendit tonë, ashtu me shumë mungesa të barnave dhe resurseve humane”.

Sipas Morines, ministria e Shëndetësisë, “për dozën e tretë duhet të ketë konsultime të ekspertëve shëndetësor në vendin tonë”.

Gjendja në spitalet e përgjithshme në Kosovë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka informuar se 69 pacientë, të infektuar me Coronavirus janë në gjendje të rëndë në spitalet e Kosovës.

Të mërkurën e 1 shtatorit, numri i pacientëve nën kujdes intensiv ishte 59.

Në raportin e SHSKUK-së, thuhet së në total, 1 mijë e 116 pacientë me Coronavirus janë të shtrirë në spitalet e Kosovës.

Prej tyre, 936 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

430 pacientë janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, deri tani numri më i madh i pacientëve me Coronavirus është në këtë qendër.

Ndërsa, nga spitalet rajonale prin ai i Prizrenit me 165 pacientë.

Për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me COVID-19, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka ndërprerë dhënien e disa shërbimeve spitalore jourgjente në sallat kirurgjike.

Kosova po kalon në një valë të rëndë të pandemisë së Coronavirusit, aktualisht janë mbi 27 mijë raste aktive.

Deri të enjten pasdite, në Kosovë janë dhënë mbi 875 mijë vaksina kundër Coronavirusit.

Në total, mbi 296 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Të enjten e 2 shtatorit, 32 persona e kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa kanë rezultuar 1 mijë 612 raste pozitive me COVID-19, në 24 orët e fundit në Kosovë.

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publikë të Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare dhe në laboratorët privat me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13 mijë 953 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në teren.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 2 mijë 460 persona gjithsejtë.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 26 mijë 524.

Numri total i rasteve të konfirmuar është 146 mijë 880 persona, ndërsa nga fillimi i pandemisë numri i rasteve të vdekjes është 2 mijë 525 persona.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë dhënë 20 mijë 618 vaksina kundër COVID-19.

Nga fillimi i vaksinimit e deri më tani në të gjithë Kosovën janë dhënë 862 mijë 224 doza të vaksinës.

Ndërsa të vaksinuar me dozën e dytë janë 291 mijë 645.

Një ditë më parë në Kosovë, 22 persona kanë humbur jetën ndërsa 1 mijë 894  raste pozitive me COVID-19.

Në shtatë ditët e fundit, Kosova ka regjistruar 11 mijë e 440 raste të reja dhe 170 viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore