Sport

Një dhuratë nga Xhudo


Dikur as ëndërr nuk mund të quhej – por 1 janari i vitit që lam pas na gjeti me shpresa të mëdha që Kosova të dekorohej me medalje olimpike.

Në një vit jo shumë të zakontë, gjithçka ngjante si ëndërr – e pabesueshme.

Për shkak të pandemisë, për herë të parë në historinë e tyre, Lojërat Olimpike u organizuan në një vit tek, me Tokyo-n që do ishte qyteti pritës i flakës olimpike.

Sikur në mjegull, asgjë nuk ishte e qartë.

Shpërthimet e herpashershme të pandemisë, ngritën gjithnjë e më shumë dyshime për organizimin e Lojërave Olimpike.

Përkundër paqartësisë, në një sallë të vogël në qytetin e Pejës, Driton Kuka po stërviste sportistët e tij për vazhdimin e lavdisë.

Titujt kampion botëror dhe evropian tanimë ishin bërë normë, por ajo çfarë synohej ishte përsëritja e madhështisë së Majlinda Kelmendit, e cila në Olimpiadën Rio 2016, fitoi medaljen e parë historike për Kosovën, duke e ngjitur shtetin më të ri në majën e Olimpit, qysh në pjesëmarrjen e parë.

Distria Krasniqi ishte favorite kryesore dhe Nora Gjakova konsiderohej si një ndër më të mirat. Majlinda e lënduar, ishte pak më shumë në dyshime mbi pjesëmarrjen e saj në Tokyo 2020.

Por jo vetëm, Kosova shpresonte në medalje edhe nga paraqitja e Akil Gjakovës dhe Loriana Kukës.

Mirëpo, kohë për Xhudon Olimpike kishte deri në Korrik, andaj Kosova nisi të ngjyrosej me arë qysh në muajin prill.

Më datën 16 të muajit të katërt të vitit, personazhja e vitit, Distria Krasniqi, u shpall për herë të parë në karrierë kampione Evropiane.

Në Lisbonë, Distria e fitoi finalen pa u ndeshur fare, për shkak se rivalja e saj Daria Bilodih u tërhoq nga finalja për shkak të lëndimit.

As 24 orë nuk kaluan, kur flamuri kosovar do të ngritej në majën më të lartë të podiumit të Lisbonës përsëri.

Këtë herë, në kategorinë e meshkujve deri në 73 kilogramë, Akil Gjakova ishte më i forti, dhe pas fitores kundër izraelitit Tohar Butbul në finale – u shpall kampion Evropian i Xhudos.

Dita e mirë shihet në mëngjes, dhe kështu ndodhi për xhudistët e Kosovës.

Në qershor, në kampionatin Botëror, Nora Gjakova siguroi medaljen e bronztë duke mposhtur serben Marica Perisic në garën për vendin e tretë.

Tri muaj pas kampionatit Evropian e një muaj pas botërorit, në tokën e Xhudos, në Japoni, zbarkuan pesë xhudistë kosovar në tentativë për të rishkruar historinë.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, nën drejtimin e Driton Kukës, po synonin historinë – dhe shkruajtën historinë.

E para që zbriti në tatami ishte Distria Krasniqi.

Në kategorinë deri 48kg, Distria Krasniqi kaloi me sukses çdo kundërshtare të saj, duke u përballur me japonezen Tonaki Funa në finale.

1-0 ishte rezultati, me Distrinë që me waza-ari e mposhti japonezen në tokën e vet.

Ora shënonte 12:07 në Kosovë, më 24 korrik, kur Distria shpërtheu në lot e Toni ngriti duartë në qiell duke ia siguruar tokës dardane medaljen e dytë olimpike.

Dy ditë më pas, të njëjtën rrugë e përshkroi edhe Nora Gjakova, në kategorinë deri në 57kg.

Pasi rrëzoi me radhë çdo kundërshtar, Nora ishte triumfuese edhe përballë francezes Sarah-Leonie Cysqiue në finale.

Ora 16:07, data 26 korrik, Kosova përsëri në finale, përsëri fituese, përsëri e artë.

Nora Gjakova u ‘zhyt’ në ar, për ta radhitur Kosovën, edhe pse përkohësisht, në mesin e pesë shteteve me më shumë medalje.

Për të tjerët, Majlindën, Lorianën e Akilin – medalje nuk kishte, por ajo çfarë ndodhi në Tokyo i la të gjithë me shpresë për një të ardhme edhe më të ndritur.

U rikthyen në Kosovë dhe u pritën me ceremoni shtetërore, por ky ishte dekorimi më i vogël.

Fundi i vitit pa Driton Kukën dhe Distria Krasniqin që të emërohen si më të mirët në kategorinë e tyre nga Federata Botërore e Xhudos.

Pikënisja e të gjithëve, Majlinda, deklaroi tërheqjen nga sporti për të vazhduar në zejën e trajnerit – krah atij që i dhuroi gjithçka.

Së bashku, ata po punojnë për ndërtimin edhe një të ardhme më të madhe, dhe se ajo po vjen, shihet edhe me fakte.

Flaka Loxha, medaliste e bronzë në kampionatin botëror U-23.

Erza Muminovic, medaliste e bronzë në kampionatin për junior.

Laura Fazliu, medaliste e bronzë ne Grand-Slamin e Kroacisë.

Deri tani kemi tre, dhe ajo që dikuj nuk konsiderohej as ëndërr, është shndërruar në realitetin e bukur falë Xhudos dhe ‘masterëve’ të saj.

Kosova, një shtet i vogël i cili u ngjit në majën e Olimpit, jo një herë, as dy, por tre.

2021-ta ishte me të vërtetë e veçantë, e artë, historike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore