Sport

Një brazilian si Sylvinho


“Não, a vida nunca foi só a vida, nela há sonhos e fantasias que fazem a realidade ser o que é…”

Me frazën e shkrimtarit Monteiro Lobato, kujtojmë proverbin brazilian se jeta nuk mund të konsiderohet veçse jetë, kur brenda saj ka ëndrra dhe fantazi që ndërtojnë realitetin tonë.

Një fjalë e urtë që përshkruan një popull, i cili frymon dhe jeton me ëndrrat për lojën më të bukur në botë, futbollin.

Për të, ndoshta Shqipëria dhe kombëtarja kuqezi e futbollit është “e treta e vërteta” në karrierën e tij si trajner duke e paralelizuar me bekimin Galician të Celta Vigo-s kur ishte lojtar.

Po flasim për “një brazilian si Sylvinho”.

I lindur në Sao Paulo më 12 prill të vitit 1974, braziliani e nisi librin e dashurisë për futbollin me kapitullin e futbollit të sallës (futsal) për të migruar drejt fushës së gjelbër më pas.

Duke përmendur fatin dhe rastësinë, përdorimi i parë i njohur i fjalës futsal ishte në Brazil gjatë viteve 1960 dhe personi që e shpiku atë është gazetari José Antônio Inglêz ndërsa punonte për gazetën “A Gazzeta Esportiva” pikërisht me bazë në Sao Paulo.

Ëndrra për futbollin profesionist e bëri të kalojë në ekipin e parë të Corinthians-it, duke lënë përfundimisht mesfushën për t’u bërë anësor.

Sylvinho me nënkampionët e ekipit Corinthians në Kupën São Paulo në 1993: ai është lojtari i katërt në këmbë, nga e majta në të djathtë — Foto: Edu Garcia / Estadão

Mbrojtësi i majtë u diplomua nga Parque São Jorge në vitin 1994 dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Paulistão dhe Copa do Brasil vitin e ardhshëm.

Revista mujore braziliane “Placar” do të tregonte asokohe një anekdotë interesante me atletin brazilian dhe ekipin e Corinthians-it.

Gjatë një ndeshjeje, Placar, në mes të një riformulimi editorial bashkëngjitur sloganit “Futboll, seks dhe rock’n’roll”, pati një ide kreative.

Ajo donte të prodhonte foton tradicionale të skuadrës, por pas një djersitjeje nga ndeshja në fushën e gjelbër.

Negocimi i ashpër përfshiu gazetarë dhe fotografë për të bindur menaxherët dhe atletët.

Para fitores 3 me 0 të Corinthians-it ndaj America-s të São José do Rio Preto, u ra dakord që askush nuk mund të ndërronte fanellën me kundërshtarët e tyre pas bilbilit të fundit.

Një cohë e bardhë gjigante e përdorur për të bërë një studio të improvizuar, për imazhin e veçantë.

Por një dështim teknik (në fokusin e kamerës) bëri që regjistrimet të bëheshin të papërdorshme – dhe e gjithë puna shkoi dëm.

Ekipi i revistës nuk u dekurajua nga “misioni i pamundur” i ri dhe, falë miqësisë së gazetarëve me disa prej lojtarëve, mundi të përsëriste setin në përballjen me Bragantino-n, disa javë më vonë.

Të njëmbëdhjetë lojtarët u larguan nga fusha me shpejtësi, pa dhënë intervista dhe u mblodhën në dhomën e zhveshjes së Pacaembu-s, disa pa fanellë, të lodhur pas 90-minutëshit.

Rezultati, një barazim i pakëndshëm 2-2, e bëri foton e Antonio Rodrigues edhe më interesante dhe dramatike se e para, me fytyra të mërzitura (përfshirë atë të Sylvinho-s, i treti i ulur, nga e majta në të djathtë), zhgënjimin në fytyrën e tij, edhe pse disa janë përpjekur të tregojnë gëzim.

Në të njëjtin vit 1995, në edicionin e shtatorit, Sylvinho pranoi ftesën e Placar-it për të vizituar një park të famshëm argëtimi në kryeqytetin e São Paulo-s në atë kohë.

Sylvinho i pëlqente emocionet e forta. Qoftë në fushë apo jashtë. Aq sa nuk e mendoi dy herë të merrte me radhë Evolution-in, një nga lodrat më radikale në parkun argëtues Playcenter, në São Paulo.
Ai miratoi kthimin dhe lëvizjen lart e poshtë.

“Të jep frikën më të madhe, por është shumë ngazëllyese”, tha ai duke u rikuperuar nga aventura. “Mendoni se do të bini dhe më pas do të humbisni plotësisht gjurmët e hapësirës”, thuhet në një fragment nga raporti.

Në kurrikulën e tij për klubin brazilian, ai fitoi Paulista-t e viteve 1995, 1997 dhe 1999, Kupën e Brazilit 1995 dhe Brasileirão 1998, përpara se të negocionte me Arsenal-in duke u bërë braziliani i parë në historinë e topçinjve.

Aventura angleze

E mbaj mend sikur të ishte ende sot.

Një paralajmërim më përsëritej me muzikalitet, gati si thirrjet e tifozëve anglezë në ndeshje.

“Sylvio. Ritmi në Premier League është shumë i lartë”.

Kështu e rrëfente Sylvinho për “The Guardian”, takimin me futbollin e Premier League-s.

Ai nuk u shqetësua për gjuhën – shkoi në Londër pa ditur asnjë fjalë – ushqimi apo mënyrën e jetesës angleze.

Arsène Wenger bisedon me Sylvinhon gjatë një seance stërvitore në 2001. Fotografia: Stuart MacFarlane/Arsenal FC/Getty Images

“E dija që gjithçka do të vinte. Ishte thjesht çështje kohe”, vijon ai.

Te Corinthians, ai ishte mbrojtësi klasik brazilian: një lojtar që sulmonte shumë në krahun e tij – e cila ishte e majta.

Në fakt, pothuajse të gjitha veprimet e tij në një lojë do të përfshinin vrapimin përpara. Nuk kishte shumë detyra mbrojtëse.

E gjithë kjo kushtëzohej edhe nga stili i lojës së vetë futbollit brazilian – pak më i ngadaltë se futbolli anglez.

“Isha te Corinthians për katër vjet e gjysmë dhe kisha fituar disa ndeshje me Brazilin. Në atë kohë, nëse do të largohesha nga vendi im, qëllimi im ishte të shkoja në Itali”, duke treguar se mund të kishte shkuar te Inter-i.

Kjo, pasi Zico i ashtuquajtur “Pelé i Bardhë” ose “Mbreti i Udine-s” ishte idhulli i madh i Sylvinho-s dhe kishte luajtur pikërisht në Serie A.

Frymëzimi taktik

Në një rrëfim për “Coaches Voice” (Zëri i trajnerëve), Sylvinho tregoi prapaskenat kur u takua me trajnerin legjendar te Arsenal-it, Arsene Wenger.

Ai luajti me skuadrën londineze nga viti 1999 deri në 2001 dhe trajneri francez është si një burim frymëzimi aktualisht për të, në postin e ri që mban në pankinë.

Kur Arsene Wenger mbërriti si menaxher i Arsenalit në vitin 1996, ai gjeti një ekip pothuajse gati.

Edhe pse Bruce Rioch, Stewart Houston dhe Pat Rice kishin mbajtur të gjithë sundimin te topçinjtë në 12 muajt para ardhjes së Wenger-it, katërshja e famshme mbrojtëse mbeti në formacion.

Termi “katërshja mbrapa” përdoret lirshëm. Ajo që zbuloi Arsene Wenger ishte më shumë si një “gjashtëshe prapa”.

Si dhe kuarteti i Lee Dixon, Tony Adams, Steve Bould dhe Nigel Winterburn, ishte edhe qendërgjysma rezervë Martin Keown dhe portieri David Seaman.

Graham e kishte kthyer këtë koleksion lojtarësh në një njësi të padepërtueshme.


Kuptimi i tyre ishte aq gjithëpërfshirës sa Wenger nuk kishte nevojë të ndryshonte asgjë.

Në vend të kësaj, ai u përqendrua në shtimin e aftësisë sulmuese në një bazë të qëndrueshme.

Bruce Rioch e kishte filluar atë proces duke blerë Dennis Bergkamp dhe David Platt.

Në dy vitet e tij të para si menaxher i Arsenalit, Wenger shtoi Marc Overmars dhe Nicolas Anelka për të rritur fuqinë sulmuese të Arsenal-it.

Arsenali kishte katër mbrojtës të fortë dhe një sulm të frytshëm. Për të përshpejtuar tranzicionin mes të dyve, Arsene Wenger rekrutoi Patrick Vieira dhe Emmanuel Petit.

Këta dy mesfushorë u bënë mishërimi i stilit “box-to-box”, duke mbrojtur njëkohësisht katërshen e pasme dhe duke i nxitur sulmuesit me pasime provuese.

Skuadrat kundërshtare në Premier League nuk kishin as mashtrimin për të prishur mbrojtjen e organizuar mirë të Arsenalit dhe as atletizmin për të përballuar shpejtësinë e tyre në sulm.

Topçinjtë u shpërblyen me titullin e parë të Wengerit në Premier League në 1997-98.

Galicia, tokë e shenjtë

Sylvinho mbërriti në Balaídos në vitin 2001 nga Arsenali. Ai kaloi tre sezone në Vigo, dhe la paraqitje cilësore duke kujtuar dhe golin kundër Barcelona-s në sezonin e tij të dytë te Celta.

Në klubin bardhekaltër ai kaloi tre sezone, duke qenë një kujtim i mirë te tifozët e Balaídos.

Sylvinho ishte një mbrojtës tipik i majtë brazilian: i talentuar me topin në këmbë, i pëlqente të bënte turne në grup dhe të mbërrinte me lehtësi në sulm, ku spikaste më shumë se në mbrojtje.

Në skuadrën galiciane ai luajti 107 ndeshje dhe shënoi një gol. Ai ishte pjesë e një ekipi që bëri histori, me dy pjesëmarrje në Kupën UEFA.

Nga skena në Celta de Vigo, Sylvinho, kujtonte atmosferën e mrekullueshme në dhomën e zhveshjes, ku u takuan gjashtë brazilianë dhe gjashtë argjentinas. Ajo skuadër mori klasifikimin e parë të historisë së Celtic në ‘Champions’ falë klasifikimit më të mirë në Ligë edhe të gjithë historisë së klubit galician, vendi i katërt.

Një vit i hidhur, sezoni 03-04, që nënkuptoi edhe rënien e skuadrës në Kategorinë e Dytë dhe marshimin e shumë yjeve të saj, mes tyre edhe Sylvinho.

Në këtë mënyrë braziliani mbërriti në Barcelona.

Në Camp Nou ai kurrë nuk ishte një titullar i padiskutueshëm, por fitoi gjithçka.

Sylvinho duhej të konkurronte me Gio Van Bronckhorst dhe Eric Abidal, por ai shijoi një nga fazat më të mira në historinë e culé, fillimisht me Frank Rikjaard dhe më pas me Pep Guardiola-n në stol.

Në 5 sezone te Barça ai luajti 89 ndeshje dhe shënoi 2 gola. Ai fitoi tre liga, dy Superkupa nga Spanja, dy Champions dhe një Kupë të Mbretit.

Fabula katalanase

Si atlet katalanas, në janar 2006, Sylvinho u përmend në kopertinën e dy yjeve.

“Shumë miqësor… Nuk e njeh këtë djalë? Sepse ai është Messi. Argjentinasi që nuk e pëlqente Ronaldinho-n në Barcelona, dëshiron të vjedhë titullin e më të mirëve në botë dhe të bëhet gati për Brazilin”, thuhet në thirrjen për raportin e Arnaldo Ribeiro dhe Elias Perugino.

Më pas, në moshën 18-vjeçare, një talent premtues nga Barcelona që tashmë po përgatitet të garojë në Kupën e parë të Botës për Argjentinën, Messi praktikisht u “përvetësua” nga atletët brazilianë me përvojë të skuadrës, si Edmilson, Deco, Thiago Motta, Ronaldinho dhe … Sylvinho.

Tekniku i Shqipërisë, meqë ra fjala, konsiderohej si një lloj “babai i Messi-t” nga ai vetë.

“Jorge, babai i Lionel Messit, thotë se Ronaldinho ka qenë shumë bujar me djalin e tij. Edhe katalanasit e trajtojnë mirë, por me brazilianët ka një marrëdhënie të veçantë. Sylvinho sillet si baba. Dhe Deco është i jashtëzakonshëm”, thotë një nga fragmentet e biografisë së tij.

Për të kuptuar një brazilian si Sylvinho na duhet po ashtu t’i kthehemi një interviste dhënë për “Mundo Deportivo” në vitin 2008.

Asokohe, anësori nuk preferohej para Abidal-it apo Puyol-it nga Guardiola i cili ishte moshatar me të.

“Nuk kam qenë kurrë një lojtar që shkoj për të kërkuar shpjegime te trajneri. Nuk dua të krijoj tensione në dhomën e zhveshjes, nuk do të ishte respektuese ndaj trajnerit dhe shokëve të skuadrës. Më pëlqen të më respektojnë dhe përpiqem të sillem në të njëjtën mënyrë me të tjerët. Ka gjithmonë një vijë mes trajnerit dhe lojtarëve dhe nuk duhet ta kaloni atë kufi”, tregonte mbrojtësi brazilian tashmë në një moshë 34-vjeçare.

Parashikimi për “qytetarët”

Në vitin 2009, Sylvinho u nënshkrua nga Manchester City, ku doli në pension vitin e ardhshëm.

Sylvinho luajti një sezon për City-n, duke bërë 15 paraqitje në sezonin 2009/2010, kohë kur klubi humbi për pak kualifikimin për në Ligën e Kampionëve.

Por një mesazh në dhomën e zhveshjes nga kryetari Khaldoon Al Mubarak pas ndeshjes së fundit të atij sezoni e bëri Sylvinho-n të kuptonte se sa i fokusuar te suksesi ishte klubi.

Ai shtoi: “Është shumë bukur të shohësh se si po ecën City tani dhe modelin që po zbatojnë. Për të qenë i sinqertë, nuk e prisja që City të ishte kaq profesionist. Mendova se ata ndoshta do të heqin dorë nëse gjërat nuk do të shkonin siç duhet, por është krejtësisht e kundërta. Jam shumë krenar të them se City ishte klubi i fundit për të cilin kam luajtur”.

Në këtë udhë, do të kryqëzoheshin edhe miqësitë dhe në të ardhmen bashkëpunimi me Zabaleta-n.

“Kam takuar shumë njerëz të mirë atje dhe sigurisht që vazhdoj të flas me Zabaleta-n. Unë flas me të rregullisht dhe ai është një person shumë i mirë. Kam kujtime shumë të mira nga koha ime në City”, theksonte Sylvinho.

Një trajner në përgatitje

Sylvinho po mendonte tashmë si një trajner – ose, ndoshta, si asistent trajner.

Cila është? Pyetja mbetet e rëndësishme.

Pas një sezoni te Manchester City, Sylvinho iu kthye trajnimit duke punuar si asistent te Cruzeiro – dhe më pas përsëri te Corinthians, ku ai krijoi një marrëdhënie të shkëlqyer pune me trajnerin Tite.

Në vitin 2016 kur Tite mori përsipër kombëtaren e Brazilit, ai solli Sylvinho-n me vete.

Kontributi i tij u vlerësua shumë dhe u shfaq një mundësi për të marrë një punë e cila do të shërbente si një shtëpi e gjysmë rrugës për të ndërruar rolin e asistentit me atë të trajnerit kryesor.

Ai u vendos në krye të ekipit të Brazilit U-23, i cili në atë kohë po përgatitej për kualifikueset Olimpike të Tokio-s.

Por diçka më e madhe erdhi. Sylvinho-s iu ofrua shansi për të trajnuar Lyon në Francë.

Ai do të ishte trajneri i parë brazilian në vite që do të merrte drejtimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Por pas vetëm 11 ndeshjesh, ai u shkarkua. Ndoshta shumë shpejt, duke mos i dhënë asnjë mundësi që të shprehte cilësitë e tij.

Dëshmitë te Corinthians tregojnë një tjetër dorëzim të shefave të klubit para tifozerisë.

Këtë herë koha e tij në krye të pankinës zgjati tetë muaj. Dhe shkarkimi i tij ishte qartësisht absurd – klubi u bë peng i kërcënimeve për dhunë nga një pjesë e bazës së tifozëve.

Shqipëria, oaz për një brazilian si Sylvinho

Sylvinho po merr shijen e parë të suksesit si trajner futbolli.

Në krye të kombëtares shqiptare që nga fillimi i vitit, ish-mbrojtësi i majtë ka arritur të bëjë skuadrën e renditur në vendin e 63-të në renditjen e FIFA-s të ëndërrojë kualifikimin në Euro 2024, një arritje shumë e pazakontë për kuqezinjtë që garuan në fazën finale të turneut vetëm një herë, në vitin 2016.

Me gjysmën e tetë xhirove kualifikuese të luajtura tashmë, shqiptarët janë në vendin e parë në Grupin E.

Skuadra e Sylvinho-s deri më tani ka shënuar dhjetë pikë, dy më shumë se Çekia dhe Moldavia.

Duke qenë se dy skuadra nga secili grup fitojnë vende direkt në turneun që do të luhet në Gjermani, Shqipërisë i duhet thjesht të qëndrojë në klasifikimin aktual për të përmbushur objektivin për të cilin braziliani u angazhua.

Në “ritmin” e Sylvinho-s, si ndryshoi formacioni kuqezi

Dhe një kompromis vendimtar për arritjen e këtij objektivi do të luhet më 12 tetor kundër Republikës Çeke.

Ai është trajneri që të gjithë sportdashësit kuqezi “do të thyenin stadiumin” nëse emri i tij do të vihej në diskutim, pas frymës moderne që ka sjellë në Tiranë duke gërshetuar futbollistët e rinj me korrektesën dhe respektin për kundërshtarin nën hijen e një braziliani si Sylvinho.

Rezultatet flasin vetë, me projektin e duhur një trajner kalibri si ish-anësori mund të ecë në gjurmët e më të mëdhenjve së bashku me një kombëtare që ëndërron krah tij, e një popull që frymëzohet nga karizma dhe modestia e një braziliani si Sylvinho.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore