Shqipëria

Një bashki, një koordinator për emigrantët – PS mobilizohet përpara zgjedhjeve


Motorët e fushatës socialiste për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 janë ndezur dhe po punojnë për një fitore të katërt, e cila do të ishte historike në kushtet e një pluralizmi relativisht të ri, post-diktaturë.

Përmes një takimi të zhvilluar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, me drejtuesit politikë në 12 qarqe të vendit, të paracaktuar gjatë Asamblesë socialiste, janë ndarë edhe disa porosi përkatëse, ku kryesorja ka qenë ajo e vendosjes së një koordinatori për çdo bashki.

Vetë Rama, ka kërkuar nga drejtuesit e qarqeve që të caktojnë një koordinator të posaçëm, puna e të cilit të jetë evidentimi i shqiptarëve emigrantë, të cilët janë pjesë e njësisë përkatëse administrative.

Rama lidhur me këtë ka kërkuar edhe krijimin e një sistemi të dhënash të sakta, rreth emigrantëve në zona të ndryshme, ku ata të nxiten për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në zgjedhje.

Kjo, pasi në të përgjithshmet e vitit 2025, do të jetë edhe hera e parë kur emigrantët do të mund të votojnë pa pasur nevojë të kthehen në atdhe.

Kryeministri Rama ka kërkuar gjithashtu nga 15 drejtuesit politikë të PS që të gjithë të punojnë maksimalisht për garantimin e votës se diasporës.

Më 8 shtator, Rama ka caktuar drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, emra të cilët do të udhëheqin edhe listat e deputetëve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Qarku Tiranë: Erion Veliaj, Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu, Durrës -Emirjana Sako, Shkodër – Benet Beci, Lezhë –Ulsi Manja, Fier –Belinda Balluku, Elbasan –Arbian Mazniku,  Korçë –Niko Peleshi, Kukës – Pandeli Majko, Gjirokastër –Mirela Kumbaro, Vlorë – Bledi Çuci, Berat – Ervin Demo dhe  Dibër – Blendi Gonxhe.

Ai ka theksuar se krahas 12 drejtuesve të qarqeve do të jetë dhe një drejtues diaspore, Taulant Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore