Lajme

Një analizë serioze propozimit qesharak të ministres


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Frika më e madhe e qytetarëve të Kosovës se do mbesin pa rrymë gjatë dimrit, paaftësia edhe më e madhe e qeverisë për të gjetur zgjidhje, ka prodhuar disa nga alternativat më qesharake se si të luftohet i ftohtit i dimrit që po vjen.

Këshilla për t’u mbuluar me batanije, te sugjerimi për t’u larë bashkë e deri te “izoloni shtëpitë sa s’është bërë ftohtë” që këtë të enjten e propozoi si masë ministrja e Ekonomisë, e ngarkuar edhe për sektorin e energjisë, Artane Rizvanolli, përbëjnë vetëm disa nga propozimet.

Ajo u mor me të qeshura, por një përllogaritje e thjesht e nxjerr këshillën e ministres, përtej se qesharake, jashtëzakonisht të kushtueshme, madje të parealizueshme.

Albanian Post ka biseduar me kompani që merren me izolimin e shtëpive në Kosovë. Për ta izoluar një shtëpi, përveç mureve, duhet izoluar edhe kulmi dhe gjithashtu të bëhet zëvendësimi i dritareve. E gjithë kjo kushton mesatarisht afër 20 mijë euro.

Siç ka treguar vetë kryeministri i Kosovës, janë mbi 110 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale 150 euro.

Nëse dikush nga këta qytetarë, do të donte të përcillte këshillën e ministres, do t’i duhej të kursente gjithë pagën për 126 muaj, apo mbi 10 vjet, për të arritur izolimin e shtëpisë.

Por, t’i marrim me radhë?

Ardian Bytyqi nga Kompania e Izolimit “MAKSI” në Lipjan, fillimisht i ka thënë Albanian Postit se e vetmja arsyeja që ka shtëpi të pa izoluara është fakti se ka persona “që nuk i kanë kushtet”, përndryshe çdokush do ta izolonte shtëpinë, pati e s’pati probleme me energjinë elektrike.

Ai më pas ka shpjeguar se sa përafërsisht kushton që të izolohen muret e një shtëpie mesatare.

“Janë dy tri lloje të izolimeve. Për shembull, këto izolime që po i bëjnë, që i përmendi ministrja, që shtëpitë të mos kenë ftoftë, e ka pasur për izolimet që mund të bëhen përmes stiropolit”, tha Bytyqi.

“Sa i përket izolimit me stiropol, çmimi më i lirë është 18 euro për metër katrorë, mund të shkoj deri në 20 euro, e deri në 40 euro për metër katrorë”, tregon ai.

“Format për shembull që janë 9 me 9, kostoja e saj mund të shkoj deri në 6 mijë euro. Nuk është procedurë e lehtë dhe e thjeshtë”.

Por, ai shtron edhe një problem tjetër.

“Aktualisht nuk kemi as fuqi punëtore të mjaftueshme për ta marrë ekipin e për ta dërguar në krejt Kosovën. Prandaj, edhe krejt Kosovën po të donim ta izolonim nuk ke me kënd, pasi është procedurë që mund ta kryejnë vetëm profesionistët”.

Pos tjerash, “nga janari i vitit 2022 vetëm stiropolit i ka hipur çmimi katër herë, ose është më shtrenjtë për 115 për qind”.

Por, me gjashtë mijë euro nuk përfundon puna e izolimit. Veç mureve, duhet edhe izolim i kulmit.

Avni Bejtullahu nga kompania për izolimin e kulmeve “Extra Izolim”, tregon se sa kushton kjo pjesë.

“Hidroizolimi, do të thotë vetëm izolimi për kulme. Fillimisht pjesa e izolimit të kulmit shkon vetëm një shtresë e aluminit kundër kontenzimit që të mos shkatërrohet ajo pjesë. Pastaj shkon pjesa e termoizolimit dhe nivelizimit, pastaj shkojnë edhe dy shtresa të hidroizolimit”.

Sipas Bejtullahut, “vetëm hidroizolimi me tri shtresa, shkon më 19 euro metra katror”.

“Ky është çmimi mesatar pasi mund të shkoj edhe deri në 25 euro”, tregon ai duke shtuar se njëjtë si stiropoli, “materiali është shtrenjtuar rreth 20 deri në 30 për qind” edhe në punën e tyre.

Mesatarisht një izolim kulmi i një shtëpie mesatare 10 me 10 metra katror, sipas çmimit mestar prej 19 euro shkon diku në tre mijë euro.

Edhe gjashtë mijë euro nga izolimi i mureve, përafërsisht 10 mijë euro shpenzime deri këtu.

Por, me murin dhe kulmin s’përfundon e gjitha.

Një pjesë tjetër e izolimit të shtëpisë janë dritaret.

Sipas Bekim Malokut nga “Lirimi SHPK”, “mund të shkoj deri në gjashtë mijë, shtatë mijë deri në 12 mijë euro. E gjitha varet çka dëshiron të vendosësh, për shembull me roleta ose jo, xhamin që vendos e të tjera”.

Ai ka shpjeguar se ka materiale të ndryshme të xhameve, por prapë për një shtëpi mesatare shkon çmimi deri në nëntë mijë, apo 10 mijë euro.

Të gjitha bashkë kapin koston e përafërsisht 19 mijë eurove.

Një punëtor – nga 110 mijë sa ka treguar kryeministri se janë – me pagë minimale 150 euro, për të arritur shifrën e 19 mijë eurove duhet të punojë 126/127 muaj. Po u përkthen në vite, janë plotë 10 vjet e gjysmë për të arritur shifrën prej 19 mijë eurosh, e mjaftueshme për ta izoluar një shtëpi mesatare.

Prandaj, këshilla e ministres më shumë se sa qesharake, ishte e dhembshme.

Çfarë ka provuar të bëjë ministrja, është të kopjojë sugjerimet që janë bërë në Britani të Madhe për të izoluar shtëpitë, duke shpërfillur krejtësisht dallimin në të ardhura dhe ndihmat që atje jep shteti kur qytetarët investojnë në prona.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore