Shqipëria

Një alpinist humb jetën në Valbonë pasi bie nga lartësia


Valbona.

Një alpinist nga Kosova është rrëzuar dhe ka humbur jetën në zonën e Alpeve në vendin e quajtur “Maja e thatë” mbi Valbonë.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Shtetit përmes një komunikate dërguar mediave.

“Më datë 26.07.2024, rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se 1 shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën”.

“Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt adresës së dhënë, së bashku me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa është sqaruar se për shkak të terrenit të thepisur malor është kërkuar ndërhyrja me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e pajetë të shtetasit kosovar nga zona ku ka rënë.

Edhe nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, kanë njoftuar se kanë nisur një operacion të ndërlikuar në Valbonë.

“Një ekip e ShKShMK sapo ka filluar një operacion të ndërlikuar të Kërkim-Shpëtimit në zonën e Valbonës”.

Nga shërbimi ishte thënë se për informata më të hollësishme do të ketë njoftim me kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore