Shqipëria

Rama: Do të sjellim në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave


Mesditën e së enjtes kanë mbërritur, në aeroportin “Nënë Tereza”, avionët me 192 mijë vaksina kineze, të nisura nga Turqia.

Të pranishëm kanë qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, si dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Nga pista e aeroportit “Nënë Tereza”, numri një i qeverisë, Rama, mbajti një konferencë për shtyp.

“Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu, së bashku, për këtë moment. Por, përpara se të jap disa shpjegime për dozat e reja, dëshiroj të ndaj me ju një tjetër lajm: do të sjellim në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave”, e nisi Rama fjalimin e tij.

Kryeministri e cilësoi investimin për fabrikën si “të rëndësishëm, jo vetëm për këtë moment, por edhe për të ardhmen”. Sipas tij, kjo do të hapë një faqe tjetër në sektorin e shëndetësisë, duke qenë një pikë referimi për prodhime të cilësisë së lartë.

Ndër të tjera, ai tha se, brenda majit do të vaksinohen gjysmë milioni qytetarë, ndërsa qershori do të jetë horizonti fundor, duke marrë parasysh papashikueshmëritë.

Tanimë, sipas Ramës, 282 mijë vaksinave që kishim gjendje, iu shtuan edhe dozat e sapombërritura.

Kryeministri u ndal edhe te vaksinimi i mjekëve të Kosovës në Shqipëri, për të cilët u shpreh “Jemi gati që nesër të marrim përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës”.

Rama foli edhe çështjen e realizimit të procesit të vaksinimit. Ai theksoi se do të krijohet një orar i posaçëm vaksinimi. Ndërsa, tha ai, nëse do të jetë e nevojshme, do të shkojë edhe deri në tre turne.

 

Rama, më herët, shkroi në Facebook se “janë siguruar 1 milion vaksina të tjera”.

“Kontraktuam për momentin gjysëm milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë”.

Të mërkurën e 24 marsit, kryeministri Rama ka udhëtuar drejt Turqisë, për të arritur marrëveshjen për një sasi vaksinash kineze, me një distributor turk.

“Në Stamboll për më shumë vaksina. O ia dalim o ia dalim, s’ka tjetër dhe po s’ia dolëm ne, askush tjetër nuk ka si ia del dot!”, shkruante Rama në Twitter.

Me aprovimin e vaksinës kineze, numri i të vaksinuarve në vend, pritet të rritet. Shqipëria e ka nisur procesin e vaksinimit ndër të parat në rajon. Deri tani janë vaksinuar 53 mijë e 992 persona. Ndër ta, mjekët e kanë përfunduar marrjen e të dy dozave.

Blerja e vaksinave nuk është bërë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me Republikën Popullore të Kinës.

Ajo u realizua nëpërmjet distributorit turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”. Në aktin normativ sqarohet se kjo kompani turke është distributor i autorizuar nga firma kineze Sinovac.

Aktualisht, Shqipëria ka në përdorim tre lloje vaksinash, të cilat janë: Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore