Shqipëria

Nis vaksinimi te fëmijët 12-15 vjeç në Shqipëri


Shefja e departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në Shqipëri, Silva Bino, ka njoftuar se do të vaksinohen fëmijët 12 deri në 15 vjeç, me sëmundje kronike.

Sipas saj ata do të marrin vaksinën anti-COVID Pfizer.

Po ashtu e hëna e 1 nëntorit ka shënuar fillimin e marrjes së dozës së tretë të vaksinës anti-COVID për personat mbi 60 vjeç në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur më 22 tetor nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët theksuan se doza e tretë do të bëhet gjashtë muaj pas implementimit të dozës së dytë.

Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, prioritet mbetet dhe vaksinimi i të gjithë popullatës, duke nisur që me fëmijët mbi 12 vjeç.

Shtetasit mbi 60 vjeç, duhet të paraqiten me certifikatën e vaksinimit, kartën e identitetit që të marrin dozën përforcuese.

Më herët ekspertja, Aida Bushati, anëtare e Komitetit, ka ravijëzuar për Albanian Post se doza mund të bëhet edhe nga personat “nën 60 vjeç”, nëse vuajnë nga sëmundjet hematologjike, imunosuprimuar apo sëmundje që i vendosin në rrezik.

Sipas saj, “një dozë përforcuese” është gjithmonë “një rikujtesë”, prandaj u bën thirrje të gjithëve, që të mos hezitojnë.

Aplikimi i dozave rikujtuese, “jo një praktikë e re”

Mjeku infeksionist, Pёllumb Pipero, thotë se “aplikimi i dozave rikujtuese tё imunitetit nuk ёshtё njё praktikё e re. Pёrkundrazi, nё pandemi ёshtё edhe rekomandim i fortё dhe plot kuptim”.

Duke hedhur një vështrim më tej, disa shtete tashmë janë “një hap përpara” inokulimit të dozës së tretë.

Kështu në Itali, Ministria e Shëndetësisë, “i dha dritën jeshile” më 9 tetor inokulimit të një doze te personat delikatë.

Tek ata që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes (fibroza pulmonare idiopatike); sëmundjet kardiovaskulare, neurologjike, si dhe tek ata me çrregullime neurologjike disimune etj.

Sipas ministrisë së këtij shteti, “doza e tretë duhet të administrohet pas të paktën gjashtë muajve nga përfundimi i ciklit të vaksinimit parësor”.

Republika Çeke, duke filluar nga 20 shtatori, rekomandoi që kushdo që ishte vaksinuar plotësisht “të merrte dozën e tretë përforcuese”. Kjo për njerëzit mbi 60 vjeç.

Politika të ngjashme janë marrë edhe në Gjermani dhe Francë, të cilat po nxisin njerëzit e moshuar për një dozë përforcuese.

Izraeli, nga ana tjetër, ka vendosur që përforcuesja të bëhet për njerëzit e vaksinuar duke filluar që nga mosha 12 vjeç.

Me gjithë vërshimin e dozave nxitëse në kombet më të pasura, shkenca nuk është ende e qartë nëse ato janë të nevojshme.

Disa studime sugjerojnë se mbrojtja që ofrojnë vaksinat kundër infeksionit dhe sëmundjeve të lehta mund të jetë e ulët.

Por ato mbeten shumë efektive në parandalimin e rezultateve më të këqija, përfshirë sëmundjet e rënda dhe vdekjen.

Megjithatë, ekspertët përgjithësisht pajtohen se një injeksion i tretë është “lajm i mirë” për njerëzit me sistem imunitar të komprometuar, të cilët mund të mos kenë ngritur një përgjigje të fortë imune ndaj dozave fillestare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore