Kosova

Nis takimi mes Kurtit dhe Krasniqit


Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për siç u tha për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror.

Ndërkaq pas takimit mes Kurtit dhe liderit të PDK-së pritet të ketë konferencë për media. Megjithatë, Krasniqi është i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e Kurtit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku.

Abdixhiku, përmes një letre dërguar Kurtit, ka sqaruar arsyet e refuzimit të ftesës, ku ndër të tjera është potencuar se Kurti “ka shuar frymën e bashkëpunimit”.

Memli Krasniqi

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

Ndërsa lideri i AAK-së, i tha Kurtit se “sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare”.

“Besnik Tahiri, i cili e udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim”, ka thënë Haradinaj në letrën e tij.

Ish-kryeministri ka konsideruar se “kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, derisa është shprehur i hapur për tema të tjera në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore