Kosova

Nis takimi Lajçak – Petkoviç, ky i fundit i shoqëruar me 18 ekspertë  


Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe njëherit kryenegociatori i palës serbe në dialog, Petar Petkoviç, këtë të enjte, ka nisur takimin me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel.

Siç raportojnë mediat serbe, takimi i Petkoviç me Lajçak ka nisur rreth orës 10:00.

Sipas po të njëjtave media, Petkoviç, ka mbërritur të enjten në Bruksel me një ekip prej 18 ekspertësh.

Të enjten zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të takohen fillimisht ndaras me diplomatin sllovak, Lajçak.

Më pas, nëse do të ketë vullnet nga palët, mund të ketë edhe takim trepalësh.

Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

Ndonëse jo-zyrtare takimi ndër të tjera do të fokusohet edhe te draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

I njëjti është pranuar nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore