Lajme

Nis takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Ka filluar takimi i përbashkët mes kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

Takimi është duke u zhvilluar me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Fillimisht, Borrell kishte zhvilluar takime të ndara, njëherë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe pastaj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell, kishte thënë në një konferencë për media se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” duke e konsideruar situatën aktuale të krijuar për targat si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

“Gjobitja nis më 22 nëntor”

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjobitja për pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale do të fillojë nga data 22 nëntor, derisa sipas vendimit të Qeverisë planifikohej që nga 21 nëntori, pronarët që kanë akoma makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.

“Nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Më 28 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte vendosur ta zbusë vendimin për targat ilegale dhe makinat që bartin ato, tash e tuje nuk do të konfiskohen, por do të qortohen e gjobitën.

Kurti po ashtu ka paraparë një masë të re, ku do të përdoren targa provuese dhe kjo do të vazhdojë deri me 21 prill.

Pas 21 prillit do të vendoset që të shkohet me targa RKS.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit/gjobës deri me 21 janar. Dhe më pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, thuhej në deklarimin e Kurtit në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri kishte thënë se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore