Kosova

Nis takimi Kurti-Borrell në Paris


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell në Paris.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të premten në Paris.

Takimi ka filluar nga ora 10:30.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të kenë takim të ndara me përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në Paris.

“Të vazhdojmë përpjekjet për të ndihmuar Republikën e Kosovës dhe të Serbisë për të de-përshkallëzuar, për të zbutur tensionet aktuale dhe për të avancuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

“Josep Borrell do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në takime të ndara nesër në Paris”.

Forumi i Paqes në Paris do të jetë momenti vendimtar për fatin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, do të obligohen të japin një përgjigje përfundimtare në raport me planin franko-gjerman.

Ashtu siç kishte njoftuar Albanian Post me 20 tetor, tashmë është i përcaktuar një skenar që duhet të konkretizohet së paku deri në shkurt të vitit të ardhshëm, kur edhe shënon një vjetori i luftës në Ukrainë.

Kurtit dhe Vuçiç-it u është bërë e qartë që duhet të futen shpejt dhe me patjetër në marrëdhënie kontraktuale, sepse zgjidhja e problemit mes tyre më nuk është vetëm çështje e dy shteteve.

Takimin me presidentin serb, Kurti e njoftoi të mërkurën në mbrëmje.

“Përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, tregoi Kurti.

Rreshtuar me kërkesën që i është bërë tash e dy muaj, Kurti tha se “jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Megjithatë, Kurti ka insistuar për “njohjen reciproke në qendër”.

Kryeministri pohoi në videon e publikuar se “i kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes si dhe propozimi franko-gjerman”, por në tavolinë nuk janë dy propozime.

Është vetëm një propozim dhe dy opsione dhe kërkohet po ashtu, vetëm një përgjigje.

Takimi trepalësh Macron-Kurti-Vuçiç është momenti vendimtar për marrëveshje, në Paris vendoset

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore