Lajme

Takimi trepalësh Macron-Kurti-Vuçiç është momenti vendimtar për marrëveshje, në Paris vendoset


Foto nga Albanian Post

Forumi i Paqes në Paris do të jetë momenti vendimtar për fatin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, do të obligohen të japin një përgjigje përfundimtare në raport me planin franko-gjerman.

Ashtu siç kishte njoftuar Albanian Post me 20 tetor, tashmë është i përcaktuar një skenar që duhet të konkretizohet së paku deri në shkurt të vitit të ardhshëm, kur edhe shënon një vjetori i luftës në Ukrainë.

Kurtit dhe Vuçiç-it u është bërë e qartë që duhet të futen shpejt dhe me patjetër në marrëdhënie kontraktuale, sepse zgjidhja e problemit mes tyre më nuk është vetëm çështje e dy shteteve.

Takimin me presidentin serb, Kurti e njoftoi të mërkurën në mbrëmje.

“Përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, tregoi Kurti.

Rreshtuar me kërkesën që i është bërë tash e dy muaj, Kurti tha se “jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Megjithatë, Kurti ka insistuar për “njohjen reciproke në qendër”.

Kryeministri pohoi në videon e publikuar se “i kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes si dhe propozimi franko-gjerman”, por në tavolinë nuk janë dy propozime.

Është vetëm një propozim dhe dy opsione dhe kërkohet po ashtu, vetëm një përgjigje.

Çfarë duhet të arrihet së paku deri me 24 shkurt?

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i zëvendës-ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i deleguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua kanë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “Tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Siç i janë prezantuar pikat e skenarit Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës është se “në një vjetorin e luftës në Ukrainë, shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Sipas asaj që ka kuptuar AP, “ky demonstrim do të shënojë kalimin në një nivel tjetër të përkrahjes për Ukrainën”.

Ky plan ka shkaktuar nevojën që tema të trajtohet urgjentisht, prandaj “lidershipi në Kosovë duhet të mendohet mirë”.

Pyetja është vënë qartë dhe thjesht – “A do të bëhet pjesë e këtij demonstrimi të unitetit dhe fuqisë së aleatëve apo do që ta rrënojë nga brenda?”.

Liderëve në Kosovë u është kërkuar që përkushtimi i tyre më nuk duhet të jetë deklarativ, por “duhet ta tregojnë me vepra se vërtet janë pjesë e aleatëve”.

Siç e ka thënë qartësisht edhe Escobar, “ajo që pritet nga palët është pëlqimi për marrëveshjen për rrugën para”.

Komuniteti ndërkombëtar më nuk kërkon “një zgjidhje të shpejt”, por “një proces pajtimi”, i cili dallon nga dinamikat e dialogut aktual dhe kërkon arritje pajtimi në disa faza.

Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

“Palët do të kenë shumë përfitime, në afat të mesëm dhe të gjatë”, nëse bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar, por po ndodhi e kundërta është treguar “edhe një shkop shumë i ashpër”, për këdo që nuk tregohet konstruktiv në këtë fazë.

Siç e ka thënë edhe Escobar në konferencë për media me Kurtin, “Kosova duhet të kuptojë implikimet rajonale” që vijnë me pozicionimin e tyre.

Prandaj, “zgjedhja është e Kosovës dhe Serbisë” të vendosin se cila do jetë rruga para.

Një nga pikat më të rëndësishme të asaj që ka parë Albanian Post, në planin e fazës së parë, apo në atë që është prezantuar si “rruga e Marrëveshjes Kosovë – Serbi”, është pika tre.

Sipas kësaj pike, “pasi që njohja e ndërsjellë nuk është pjesë e kësaj faze, kjo nënkupton që, në këtë fazë, nga Serbia nuk do të kërkohet të ndryshojë kushtetutën”.

Mos ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, në të cilën ende Kosova është pjesë e këtij shteti, e njëjta nuk do të kërkohet as nga Kosova për formimin e Asociacionit.

“Pasi që Serbia nuk do që ta ndryshojë kushtetutën atëherë askush nuk ka të drejtë që të kërkojë nga Kosova që ta ndryshojë kushtetutën e vet, për ta akomoduar një Asociacion si nivel i ri i pushtetit”, thuhet në këtë pikë, ku edhe është paraparë se brenda çfarë formati parashihet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni duhet të mishërojë praktikat më të mira të mundshme të garancive për komunitetin serb, por kjo është e tëra”.

AP kupton se Asociacioni “nuk do të jetë OJQ, por gjithsesi do të akomodohet brenda kornizës ekzistuese të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Nëse palët refuzojnë të pajtohen për skenarin përpara dhe refuzojnë fillimin e rrugëtimit konkret drejt fazës së fundit për pajtim final, ndërkombëtarët kanë parashikuar edhe një skenar alternativë, ku do ta merrnin procesin krejtësisht në dorën e tyre.

Në Prishtinë dhe Beograd tashëm u është thënë se duhet ta kenë të qartë që “kjo përpjekje dallon nga dinamika e deritashme e dialogut”.

Fuqitë ndërkombëtare e kanë një referencë se si do të mund ta përshpejtonin arritjen e një pajtimi, duke i larguar liderët dhe ekipet negociatore nga komfort-zona e tyre dhe mbledhur në një vend të gjitha palët, për të dalur me një marrëveshje brenda ditësh.

Siç dihet, Marrëveshja e Dejtonit (1995) ishte arritur pikërisht në këtë formë, kur përkundër se elementet bazike të një pajtimi ishin propozuar vite më parë, me idenë që të parandalohej shpërthimi i luftës, diçka e tillë nuk kishte ndodhur dhe negociatat kishin dështuar.

Plani origjinal për marrëveshje ishte ai që tashmë njihet si Plani për Paqe “Carrington–Cutileiro”, emëruar kështu për shkak të autorëve Lord Carrington dhe ambasadori portugez Jose Cutileiro. Në atë që do të njihej më vonë si “Marrëveshja e dështuar e Lisbonës”, pasi palët e kishin kundërshtuar.

Një vit më vonë, në vitin 1993, komuniteti ndërkombëtar prapë kishte provuar arritjen e një marrëveshjes përmes përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara Cyrus Vance dhe përfaqësuesit të komuniteti evropian, Lord David Oëen.

Iniciativa që parashihte ndarje të Bosnjës në 10 regjione gjysmë-autonome dhe që do njihej si “Plani për Paqe Vance-Oëen”, dështoi gjithashtu, meqë përkundër se u nënshkruar nga lideri i Republikës Serbe në Bosnje, ishte rrezuar në parlament.

Përpjekje të tilla të dështuar kishin prodhuar idenë që të gjithë liderët të mblidhen në një vend, duke shkurtuar kështu levat e tyre për negocim nga distanca dhe duke rritur presionin për marrëveshje të shpejt.

Në Dayton të shtetit amerikan të Ohios ishte siguruar një zonë ku ishin akomoduar mbi 800 zyrtarë. Me 21 nëntor 1995 palët kishin dalë me një pajtim, derisa marrëveshja e plotë dhe formale ishte nënshkruar në Paris me 14 dhjetor të po të njëjtit vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore