Muzikë

Nis sot “Eurovision Song Contest”: Gjithçka duhet të dini për të


Shqipëria, me përfaqësuese këngëtaren Ronela Hajatin, do të hapë në orën 21:00 natën e parë të “Eurovision Song Contest”.

Sakaq, vendi pritës, Torino, për ditë me radhë ka mikpritur shumë përfaqësues nga e gjithë Evropa me delegacionet përkatëse.

Në Itali kishte shumë vite që nuk mbahej një edicion i festivalit evropian, por grupi i rokut italian i formuar në Romë në vitin 2016, Maneskin, riktheu lavdinë me mundësimin e organizimit të këtij viti.

Treshja e drejtuesve, Laura Pausini, Alessandro Cattelan dhe Mika, do të jenë mikpritësit e ceremonisë së “Eurovision Song Contest 2022”.

Rusia këtë vit do të mungojë, pasi u përjashtua nga konkurrimi për shkak të mësymjes në Ukrainë.

Provat gjenerale u zhvilluan gjatë javës që lamë pas, ndërsa ceremonia e tapetit të famshëm jeshil, ku parakaluan të gjithë delegacionet, ishte më e përfolura e së hënës së 9 majit.

desc img

Festivali evropian është kthyer prej vitesh në një kult për gjithë Evropën, si konkurrimi më prestigjioz, me një audiencë që i kalon 200 milionë teleshikues.

Theksojmë se biletat për eventin e këtij viti u shitën në pak minuta për të tria netët.

Ky edicion shënon rikthimin me kapacitet të plotë të “Eurovision”-it pas pandemisë së COVID-19, që e kushtëzoi në realizimin me masa të rrepta vitin e kaluar dhe atë paraardhës.

Formati “Eurovision” është shumë i saktë: koha dhe gjithçka tjetër është e mirëpërcaktuar, ndërsa investimi për skenën është gjigant.

Më datë 12 maj do të zhvillohet gjysmëfinalja e dytë, kurse finalja e madhe do të mbahet dy ditë më vonë, më 14 maj.

Photo gallery: Albania First Rehearsal 2022 - Eurovision Song Contest

“Incidentet me Ronela Hajatin”

Përgjatë ditëve të para të përgatitjes, “Eurovision” është përballur dhe me shumë kritika, duke nisur nga bullizimi i treguar për pamjen fizike të Ronela Hajatit e deri te detajet e organizimit.

Megjithatë, do të jetë pikërisht shqiptarja që do të çelë natën e parë, e ndjekur nga Letonia, Lituania, Zvicera, Sllovenia dhe Ukraina (ndër favoritët), si dhe Bullgaria, Holanda, Moldavia, Portugalia, Kroacia, Danimarka, Austria, Islanda, Greqia, Norvegjia dhe Armenia.

Mes të ftuarve në skenë do të ngjitet edhe Diodato – duhet të kishte marrë pjesë në shfaqje në 2020, por që u anulua për shkak të pandemisë – Dardust me Benny Benassi dhe Sophie dhe The Giants, që kanë përgatitur miks me muzikë elektronike italiane.

Ofendimet online u bënë aq serioze, madje edhe ndaj Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), që vendosi të dilte në një deklaratë publike.

“Ne dënojmë fuqishëm të gjitha format e diskriminimit dhe jemi të tronditur nga niveli serioz që ka marrë abuzimi në internet karshi atyre, të cilët punojnë fort për të prodhuar shfaqjen e këtij edicioni”, transmetuan mediat italiane, përcjell Albanian Post.

Më tej, EBU paralajmëroi se: “çdo sjellje e paligjshme do të bllokohet menjëherë dhe, në raste të rënda, do t’i denoncojmë personat tek autoritetet kompetente vendore”.

Unioni përfundoi reagimin, duke u bërë thirrje ndjekësve dhe fansave të artistëve të ndryshëm të komentojnë “në mënyrë civile dhe të tregojnë respekt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore