Lajme

Nis Forumi Strategjik për të Ardhmen e Evropës – mblidhen liderët e BE-së dhe të rajonit


Forumi Strategjik për të Ardhmen e EVropës mbajtur në Bled të Sllovenisë

Ka nisur Forumi Strategjik për të Ardhmen e Evropës në Bled të Sllovenisë, forum ky i organizuar nga Presidenca e Sllovenisë, ku aktualisht po marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian si dhe presidentë e kryeministra të Ballkanit Perëndimor.

Forumi Strategjik në Bled filloi me temën “E Ardhmja e Evropës – të qëndrosh e të përballosh”, ku filluan diskutimin mbi çështjet jetike të Bashkimit Evropian, botës, por me një theks të veçantë edhe mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, tha se “para 30 vitesh ne themeluam vendin tonë, kur një vit para kësaj mbajtëm zgjedhjet e para shumë-partiake”.

Të drejtat dhe të gjitha vlerat që ishin shkelur nga Jugosllavia Komuniste, tha Jansha, populli slloven i rifitoi përmes referendumit dhe synimit të vlerave demokratike.

“Hyrja e Sllovenisë në Bashkimin Evropoan kurrë s’ka qenë vetëm një mundësi ekonomike, por lidhje e ngushtë me vlerat fundamentale njerëzore, lirinë dhe demokracinë. Krejt këto gjëra të cilat ish-Jugosllavia Komuniste na i kishte marrë”.

Kryeministri slloven tha se Evropa sot është më ndryshe se ajo që kishin gjetur kur u anëtarësuan duke i numëruar krizat që e kanë pasuar BE-në, por se “sot, më shumë se kurrë, duhet të orientohemi nga parimet bazë të etërve themelues të BE-së. Paqe, prosperitet, dhe bashkëpunim me fqinjt”.

“Debati për të ardhmen e BE-së vjen në një kohë ku kërkohet vendimmarrje, të gjitha defiçiencat dhe zbrazëtirat e BE-së duhet të rregullohen. Ne duhet të sigurojmë lirinë, cilësinë e jetës për qytetarët tanë, drejtësinë dhe duhet të kemi aftësitë për t’i siguruar këto”.

Jansha tha se Evropa është vend dinamik dhe e ka lirinë e mendimit, është vend që karakterizohet nga bashkëpunimi mes fqinjsh, dhe që respekton të drejtat dhe liritë fundamentale njerëzore, dhe që i ruan institucionet e saj demokratike.

“Këto jan gjërat për të cilat debatojmë. Një Evropë që është në paqe me vetveten”.

Ndërsa Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, theksoi rëndësinë e këtij forumi dhe falënderoi së pari presidencën sllovene për organizimit e këtij takimi.

“Kur bisedojmë për të ardhmen e Evropës, më lejoni të ritheksoj nevojën e parë të BE-së. Demokracinë parlamentare. Sidomos tash kur jemi para sfidave të reja”, tha Sassoli.

Presidenti i Parlamentit Evropian tha se në asnjë mënyrë liderët evropian nuk bën të konsiderojnë se mandatet e tyre janë si çeçe boshe, ose si çmime, që u kanë dhënë qytetarët, por si një mandat të përgjithshëm ku të gjithë liderët veprojnë dhe punojnë simbas vlerave universale mbi të cilat është ndërtuar dhe ideuar Bashkimi Evropian.

“Një gjë tjetër e rëndësishme është rezultat e fundit të një sondazhi të BE-së. 81 përqind të qytetarëve tanë, besojnë se fondet e BE-së duhet të shkojnë vetëm në vende ku sundon ligji, ku ka demokraci dhe ku respektohet të drejtat dhe liritë fundamentale njerëzore”.

Për qytetarët e BE-së, shprehet Sassoli, konceptet si demokracia, barazia sociale, sundimi i ligjit, të drejtat themelore njerëzore, liria, nuk janë vetëm fjalë boshe, dhe nuk mbeten vetëm në rrafshin teorik dhe abstrakt.

“Demokracia s’është asgjë nëse nuk ofron zgjidhje në sfidat në të cilat gjendemi. Nëse nuk krijon mundësinë që të gjithë t’i gëzojmë liritë fundamentale, barazinë dhe dinjitetin qytetar”.

Ndër të tjera ai diskutoi edhe për pandeminë, dhe mësimin që BE ka marrë nga një katastrofë pandemike, dhe se sa ka ndihmuar në formimin e një kohezioni më të gjerë social, që ka ndihmuar në identifikimin e efiçiencave dhe defiçiencave të BE-së.

“Idealet e Evropës mbeten po aq të rëndësishme siç kanë qenë gjithmonë”.

Në po të njëjtin forum me temën “e Ardhmja e Evropës – Zgjerimi”, do të merrë pjesë edhe Kryeministri Albin Kurti, që pritet të mbahet në ora 16:30 pasditen e së mërkurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore