Lajme

Nio nxjerr në treg telefonin inteligjent për t’u përdorur me makinat elektrike


Kompania Nio e Kinës ka zbuluar një telefon inteligjent të nivelit të lartë të krijuar për t’u përdorur me automjetet e saj elektrike.

Nio ka reklamuar një sërë funksionesh të lidhura si përdorimi i telefonit për të udhëzuar makinën të parkojë vetë.

Nio Phone, telefoni i parë specifik për makina që shitet nga një firmë kineze, nxjerr në pah gjendjen e avancuar të teknologjive të makinave elektrike në tregun më të madh të automjeteve në botë, ku tani përbëjnë më shumë se një të tretën e shitjeve të automjeteve.

Një shofer i Nio mund të përdorë gjithashtu telefonin për të njoftuar makinën e tij që të drejtojë vetë në vendndodhjen e tyre dhe për të zhbllokuar makinën edhe kur telefoni është i fikur.

Shefi Ekzekutiv William Li ka treguar se Nio Phone ka më shumë se 30 funksione specifike për makina dhe kështu ka hapur terren të ri me teknologjitë e lidhjes.

Sakaq janë në dispozicion tre modele, me çmim midis 6,499 dhe 7,499 juanë.

Telefoni do të shitet vetëm në Kinë për momentin dhe dërgesat do të fillojnë nga 28 shtatori.

Li ka ecur përpara me projektin e telefonave inteligjentë, pavarësisht shqetësimeve të disa investitorëve se prodhuesi i automjeteve, i cili ka parë humbjet e tij të zgjerohen mes një lufte të ashpër çmimesh në Kinë, po merr shumë.

Interesi kryesor i prodhuesit të automjeteve në dizajnimin e telefonit është ndoshta në mbledhjen e të dhënave të përdoruesit në vend që të kërkojë ta bëjë telefonin një kontribuues kryesor në të ardhura, sipas analistit Will Wong.

“Telefonat inteligjentë do të jenë një platformë e mirë për të mbledhur më shumë të dhëna, gjë që është thelbësore në botën aktuale të teknologjisë dhe potencialisht mund të çojë në përvojë më të mirë të përdoruesit dhe qëndrueshmëri të klientit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, përpjekja e kompanisë kineze shënon ndërthurjen më të fundit mes botës së telefonave inteligjentë dhe automobilave.

Nio, që renditet në vendin e 9-të në mesin e prodhuesve të makinave elektrike dhe hibride në Kinë, ka dyfishuar investimet në teknologjitë e vetë-zhvilluara për komponentët kryesorë si çipat dhe bateritë.

Po ashtu ka ndërtuar një bazë fansash midis drejtuesve në Kinë duke hapur klube ekskluzive të anëtarësimit.

Kompania ka një ekip prej 11 mijë inxhinierësh që punojnë në aspektet kyçe të teknologjive inteligjente, nga çipat te bateritë deri te drejtimi autonom dhe prodhimi inteligjent.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore