Shqipëria

Nikolla: Shqipëria është vend i vogël, por me kontribut të madh për sigurinë dhe paqen


Shqipëria, edhe pse është një vend i vogël, ka dhënë një kontribut të madh për sigurinë, paqen dhe stabilitetin.

Kështu është shprehur kryeparlamentarja Lindita Nikolla gjatë ceremonisë së inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Sipas saj, një popull që ka pasur mungesë lirie bën çdo gjë për atë.

“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një ditë domethënëse për Shqipërinë dhe popullin tonë. Nëse ka një vend anëtar të ri të aleancës që mbështet vendimet e saj, ky vend është Shqipëria. Shqipëria ka dëshmuar përkushtimin për paqen”, ka thënë Nikolla.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se është ndjerë krenare kur kolegët kanë shprehur admirim për këtë.

“Ky territor në asnjë kohë nuk i ka shërbyer paqes, sigurisë dhe stabilitetit siç po i shërben tani”.

Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj, e ka quajtur hapjen e bazës ajrore të Kuçovës një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së Shqipërisë.

Begaj theksoi se sot po dërgohet një mesazh i fuqishëm për paqen dhe po dëshmohet se NATO-ja është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

“Jetësimi i bazës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes së vendit tonë. Është rezultat i bashkëpunimit mes aleatëve, nga kjo bazë ne së bashku dërgojmë mesazhin e paqes dhe dëshmojmë se NATO është e gatshme të mbrojë lirinë e aleatëve”, parashtroi kreu i shtetit.

Ai nuk la pa përmendur edhe detyrimet që rrjedhin nga NATO-ja, të cilat janë edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore