
Ylli i klubit futbollistik të Romës, Nicolò Zaniolo, ka bërë publike lidhjen e tij me blogeren e modës, Chiara Nasti.
Thashethemet rreth lidhjes së tyre kishin filluar në ditën e Shën Valentinit kur ata u panë së bashku në një dyqan të njohur lulesh në kryeqytetin italian.
Disa ditë pas daljes së tyre të parë së bashku në publik, ata kanë vendosur të konfirmojnë historinë e tyre të dashurisë përmes një fotografie romantike, të postuar në profilin e Instagram-it të Chiarës.
Kjo lidhje e futbollistit Zaniolo ishte një befasi e vërtetë për publikun nisur nga fakti që vetëm para pak javësh nga mediat e shtypit rozë dhe të afërm të lojtarit, aludohej se ai po takohej me aktoren rumune, Madalina Ghenea.
Zaniolo e Ghenea, të cilët ishin shumë aktiv në rrjetet sociale duke postuar fotografi në shoqërinë e njëri tjetrit, kanë vendosur t’i ndajnë rrugët në heshtje, duke mos bërë shumë “zhurmë” mediatike.
Ndryshe, njëra ndër arsyet se pse Nicolo dhe Madalina prishën raportin e tyre, sipas tabloideve italiane është fakti se ish e fejuara e tij, Sara Scaperotta, pret një fëmijë nga vetë lojtari, pavarësisht se të dy kishin prishur marrëdhënien.
Sara është pesë muajsh shtatzënë dhe foshnja e ish çiftit do të vijë në jetë gjatë kësaj vere.
Por, fakti se ylli i Romës po bëhet baba, nuk paraqet fare problem për të dashurën e tij të re, Chiara Nastin.
Madje, Zaniolo dhe Nasti kanë dashur të vulosin premtimin e tyre të dashurisë me një tatuazh.
Ata kanë bërë nga një tatuazh me zemër të shpuar me shigjetë, veprim të cilin edhe e kanë publikuar në rrjete sociale.
Edhe pse lidhja filloi vetëm disa javë më parë, çifti po i merr gjërat seriozisht, duke lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në lëkurë.
Chiara është një personazh me ndikim në rrjetet sociale, ndërsa numëron mbi 1.8 milionë ndjekës në Instagram.
Albanianpost.com