Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj 16 personave për rastin “Subvencionet 6”


Ilustrim.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj 16 personave në rastin e njohur si “Subvencionet VI”, që lidhet me rastin për subvencionet në bujqësi.

Lajmin e ka bërë të ditur prokuroria përmes një komunikate për media, ku thuhet se aktakuza është ngritur për disa vepra penale.

“Marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë, falsifikimi i dokumentit zyrtar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe mashtrimi me subvencione”, thuhet në komunikatë.

Më 11 dhjetor, Gjykata e Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e “Subvencione 3”, ndaj katër të akuzuarve Bejtush Gashi, Arbër dhe Halit Avdijaj dhe Sadush Kabashin.

Prokuroria Speciale në Kosovë kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për rastin “Subvencionet 1”, prej tyre 11 persona zyrtarë e 10 përfitues.

Ata po akuzohen për veprat penale, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “mashtrim në detyrë”, “dhënie e ryshfetit” dhe “mashtrim me subvencione”.

Më 30 qershor, Albanian Post, kishte raportuar për vazhdimin e aksionit “Subvencioni 2021”.

“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme”.

Në muajin shkurt të këtij viti, ishin arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.

Skandali me subvencione në Bujqësi deri  në shkurt të vitit 2021 kishte çuar në arrestimin e mbi 20 personave zyrtarë që dyshohen për ryshfet dhe rreth 400, mijë euro të sekuestruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore