Kosova

Ngrihet aktakuzë ndaj një shqiptari për masakrën e Izbicës


Varet e personave të ekzekutuar nga forcat serbe në Izbicë të Komunës së Skenderajt

Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të martë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet M.A, i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media ka njoftuar se rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28 mars të vitit 1999, në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt.

“Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të pa identifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar”, thuhet në komunikatën për media.ë

“Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe,  ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”.

Gjatë hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Speciale, janë marr deklaratat të mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të rastit.

Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si video incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se me datë 28 mars 1999, në fshatin Izbicë, u vranë popullsia civile e pafajshme.

“Prokuroria Speciale njofton opinion publik se hetimi i Masakrës së Izbicës, nuk përfundon me ngritjen e kësaj aktakuze. Rasti është më i madh dhe shumë më kompleks dhe për këtë arsye hetimet janë ende duke vazhduar për të dyshuar të tjerë, për sigurimin e provave tjetra materiale të rëndësishme për zbardhjen në tërësi të kësaj çështje penale”.

I pandehuri M.A. bazuar në njoftimin e prokurorisë gjendet nën masën e sigurisë, të paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore