Lajme

Ngjarjet në Veri, pozita e Gabriel Escobar në pikëpyetje


Gabriel Escobar

Gabriel Escobar mund të mos jetë më Zëvendës-ndihmës sekretar Amerikan i Shtetit dhe mbikëqyrës i politikave amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe kjo për shkak të zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës.

Me një përvojë si pak kush tjetër në Ballkanin Perëndimor – diplomati i karrierës që u duk se siguroi Marrëveshje historike për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë me 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër – nuk e ka parashikuar shpërthimin e situatës në tri komunat veriore për shkak të veprimit të Qeverisë së Kosovës pa kordinim me amerikanët dhe kjo mund të ketë edhe një pasojë personale për Escobar.

Për këtë dhe ngecjen e procesit në kriza të vazhdueshme, Albanian Post kupton nga burime diplomatike se, Escobar mund të lëshojë rrugë për një tjetër diplomat.

Për kujtesë, Escobar qysh nga luftërat në ish-jugosllavi është i përfshirë në rajon.

Ai ishte shef i stafit për zyrën e Reprezentuesit të Lartë në Banja Lukë, në Bosnje dhe Hercegovinë, më pas Shef i Ambasadës, dega në Banja Lukë, ishte edhe zëvendës-shef i zyrës diplomatike të SHBA-ve në Podgoricë, dhe Shef i ekipit politik në Beograd kur ishte ri-hapur ambasada amerikane në Beograd në vitin 2001.

Poliglotit nuk i ka mjaftuar zotërimi i shtatë gjuhëve të huaja dhe dhjetëra mirënjohje për punë diplomatike nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për të gjetur zgjidhjen dhe ulur tensionet në një zonë delikate fqinje me Bashkimin Evropian, në kohën kur SHBA-të duan qetësi për shkak të energjisë që merr lufta me Rusinë në Ukrainë.

Në intervistat e tij të fundit e në paraqitjen e tij par senatorëve amerikanë në komisionin për politikë të jashtme, Escobar shprehej besimplotë se jo vetëm që është arritur marrëveshje, por ajo do të gjejë zbatimin e saj të plotë më së largu deri në fundin e këtij viti.

“Mendoj që marrëveshja është këtu”, thoshte Escobar, “këtë vit kalendarik”, shtonte.

Escobar-it nuk i ka munguar aktiviteti në Ballkan. Por, siç treguan ngjarjet e fundit, atij i ka munguar ndikimi dhe rreziku për përshkallëzim të mëtutjeshëm është një lojë të cilën SHBA-të nuk e luajnë dot në këtë kohë.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Ambasadën Amerikane në Kosovë nëse mund të konfirmojnë një lëvizje për të deleguarin e SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, por nuk është pranuar përgjigje prapa.

Me largimin e Escobar, nëse ndodhë ashtu siç thonë burimet e Albanian Post, rol shumë më të rëndësishëm në procesin dialogues do të marrë ambasadori amerikan në Serbi, Chritopher Hill.

Akoma e paqartë nëse nga pozita e njëjtë, apo nga një rokadë pozicionesh, por Hill pritet të jetë zëri i autoriteti amerikan për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi dhe implementimin e pikave të marrëveshjes, e cila tashmë është bërë e qartë që duhet të fillojë me propozimin e një draft statuti nga Qeveria e Kosovës.

Hill si një diplomat karriere ka shërbyer si Emisar Special gjatë luftës në Kosovë dhe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në negociatat e paqes në Rambuje në vitin 1999.

Një njohës i mirë i dinamikave dhe rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Hill në shumë raste kishte mbështetur qëndrimet zyrtare të Serbisë në raport me procesin e dialogut me Kosovën.

Rasti më eklatant ishte në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.

Përkundër se Escobar ishte shprehur se SHBA-të do t’i njihnin rezultatet e zgjedhjeve në Veri, Hill në emër të Uashingtonit zyrtar kishte deklaruar se SHBA-të nuk ishte pro zgjedhjeve, kjo për shkak se Lista Serbe s’merrte pjesë në këtë proces dhe se këto zgjedhje zhvilloheshin në një moment domethënës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Qëndrimi pro-serb i Hill dhe dallimi i këtij të fundit me top-diplomatin Escobar ishte vërejtur edhe pas takimit të nivelit të lartë të 18 gushtit të vitit të kaluar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Hill kishte deklaruar se pala serbe ishte pala më e përgatitur në tavolinën e bisedimeve – në takimin ku nuk ishte arritur një dakordësi për një marrëveshje për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit.

Ndryshe nga Hill, Escobar ishte treguar më i matur me deklarime duke theksuar se në këtë fazë nuk dëshiron që ta fajësojë asnjërën palë.

Për shkak të qëndrimeve të tij, në qarqe Hill në vend se ambasador i SHBA-ve në Serbi, ka filluar të quhet “ambasador i SHBA-ve për Serbinë”.

Përveç lakimit të emrit të Hill për të zëvendësuar Escobar në kuluaret e  Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas burimit të AP-së, është përfolur edhe emri i Christopher Robinson, aktualisht ambasador i SHBA-ve në Letoni, i cili para se të emëroi në këtë pozitë kishte shërbyer si Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë për Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

23 vjet si diplomat, Robinson shërbeu si këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën Amerikane në Rusi si dhe si zëvendës-drejtor për çështje ruse në Departamentin e Shtetit.

Ai shërbeu edhe si Këshilltar Politik në Misionin e SHBA-ve në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Austri.

Christopher A. Landberg është emri tjetër i përfolur i cili është në pole-position për të zëvendësuar Escobar.

Landberg aktualisht është i emëruar si Ushtrues i Detyrës së Zëvendës Koordinatorit Kryesor për Byronë e Kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Ai ka shërbyer edhe si Zëvendës Koordinator për Reagimin ndaj Krizave dhe Politikat Teknike, përgjegjës për mbikëqyrjen e Zyrës së Programeve Teknike dhe Politikës së Operacioneve të Byrosë Kundër Terrorizmit dhe Zyrës së Përgjigjes ndaj Krizave, Gatishmërisë dhe Koordinimit Special.

Chris punoi si Staf i Lartë në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit nga vitit 2012 deri në vitin 2014, duke mbuluar çështjet ndërkombëtare ekonomike dhe të sigurisë kombëtare.

Diplomati i karrierës Chris ka shërbyer gjithashtu në Ambasadat e SHBA-ve në Argjentinë, Gana, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republikën Dominikane.

Që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Në anën tjetër më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore