Ngjarja e dhunshme në Krujë, një pjesë e grupit Rraja në gjykatë

albanianpost
09.07.2023 11:42
Loading Icons...

Katër personat e arrestuar pasi dhunuan barbarisht shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja në Krujë, kanë dalë të dielën e 9 korrikut para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Bëhet fjalë për shtetasit: Ineidi Rraja, Eni Kulla, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.

Ata janë nën akuzë për veprat penale: “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Jehona e ngjarjes së rëndë që ndodhi tre ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, vijoi me reagime të forta nga institucionet shtetërore.

Dy të dhunuarit ishin ankuar se shtëpitë e tyre po dëmtoheshin nga një gurore aty pranë në pronësi të fisit Rraja, konkretisht Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme, pasi në dhunën e shkaktuar ishin të përfshirë djali dhe dy vëllezërit e tij – të cilët nga Policia e Shtetit janë quajtur dhe organizatorë të ngjarjes.

Ai u ka kërkuar ndjesë atyre që i kanë dhënë voton prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.

Ndërkaq, Policia e Shtetit nuk është ndalur me aq.

Ajo ka rinovuar tërë trupën e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë.

Po ashtu Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, është tashmë drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Nga zhvillimet e fundit e pësoi edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili u shkarkua nga kreu i Qeverisë, Edi Rama.

Postin e tij, sipas propozimit të kryeministrit, pritet ta marrë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Policia bllokon aktivitetin e gurores “Delia Group” pas ngjarjes së rëndë në Krujë

Të fundit

Aktuale