Shqipëria

Nga korriku, në treg kartëmonedha 10 mijë lekëshe


Me fillimin e korrikut, prerja më e lartë e kartëmonedhës shqiptare Lek, nuk do të jetë më ajo 5 mijëshe, por ajo me vlerë 10 mijë lekë, e cila për herë të parë do të hidhet në treg.

Kjo do të jetë edhe kartëmonedha me vlerë më të madhe të qarkulluar ndonjëherë në Shqipëri.

Së bashku me prerjen prej 10 mijë lekësh, në qarkullim do të hyjë edhe valuta e re 1 mijë lekëshe. Ajo do të zëvendësojë kështu prerjen e vjetër.

Ky vendim është vijimësi e një pune të gjatë të Bankës së Shqipërisë, mbi emetimin e serisë së re të kartëmonedhave. Këtë detaj e ka shpjeguar vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Sipas Sejkos, emetimi vjen në këtë çast për faktin se tregu e kërkon, duke parë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në vitet e fundit. Këtu përfshihet edhe një rritje në strukturën e pagave dhe çmimeve.

“Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas të gjitha analizave, ajo plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor”, do të theksonte Sejko.

Një qarkullim më i mirë dhe efikas i parasë së gatshme, ul gjithashtu kostot e prodhimit të tyre. Po ashtu, ndihmon në administrimin e një stoku strategjik nga Banka e Shqipërisë.

Prerja e re do të jetë me motivet e himnit kombëtar. Figura e shquar e printuar në të do të jetë ajo e krijuesit të himnit shqiptar, Asdrenit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore