Shqipëria

“Nga klasa e 1-9, librat shkollorë falas”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, të martën e 10 gushtit, kanë njoftuar se të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, librat shkollorë do t’i kenë falas.

Kushi theksoi faktin se këtë vit shkollor në skemën mbështetëse të qeverisë shqiptare do të shtohen edhe nxënësit e klasave të teta dhe nënta.

“Ndërkohë, përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga qeveria shqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë”, bëri me dije Kushi.

Më tej Ministrja informon se janë rreth 280 mijë nxënës përfitues në total nga kjo skemë mbështetëse.

Prej tyre 16 mijë janë  nxënës në arsimin e mesëm të lartë që do të përfitojnë si pjesë e kategorive të veçanta.

“Nxënësit do të pajisen me libra cilësorë të ‘Oxford’, ‘Cambridge’ dhe ‘Pearson’”, deklaroi ministrja Kushi.

Në përfundim ajo solli në vëmendje se “kjo politikë do të lehtësojë barrën financiare të familjeve shqiptare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore