Shqipëria

Nga Berlini në Rinas, fjalën e ka Ballkani Perëndimor


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shfaq në praninë e krerëve të qeverive të Ballkanit Perëndimor, në pritje të konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Merkel vëzhgoi nga afër ambientet e Tirana Business Park, i cili është një investim i qeverisë gjermane.

Ky takim zhvillohet pas përfundimit të ndalesës së parë në Pallatin e Brigadave, mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel.

Delegacionet e krerëve të pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor kishin mbërritur më herët në Rinas.

I pari që arriti pranë Tirana Business Park ishte ai i Maqedonisë së Veriut.

Më pas parakaluan me radhë edhe ai serb, malazez, delegacioni i Kosovës, dhe në fund ai i Bosnjë dhe Hervegovinës.

Pas mbledhjes së parë në ballkonin e njërës prej godinave të Tirana Business Park, krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor ndanë një komunikim të shkurtër me kancelaren Merkel.

Dita e Merkel-it

Ndalesa e parë e kancelares gjermane, Angela Merkel, sapo mbërriti në Tiranë, ishte në Pallatin e Brigadave, ku u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Me një ceremoni në nder të saj, u luajtën si himni i Republikës Federale të Gjermanisë, ashtu edhe himni i Republikës së Shqipërisë.

Më herët, ajo u prit nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në Aeroportin e Rinasit.

Pas përfundimit të ceremonisë pritëse, kancelarja u takua me delegacionin shqiptar, që udhëhiqej nga kryenegociatori për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi.

Sot, më 14 shtator, Angela Merkel po zhvillon vizitën e saj të fundit në Shqipëri si Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë.

Pasi përmbylli vizitën e saj në Serbi një ditë më parë, ku u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Merkel po viziton Shqipërinë.

Pas përfundimit të takimit, në rang kryeministral në Shqipëri me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Merkel dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Agjenda

10.20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave

10.30 – Takim mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave

11.00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave

11.50 – Mbërritja e kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park

11.55 – Mbërritja e kancelares Merkel në Tirana Business Park

12.00 – Foto familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park

14.35 – Konferencë për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel në Tirana Business

Vizita “e fundit” si kancelare në Tiranë

Kjo vizitë e Merkel-it është e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Iniciativa e nisur nga Merkel dhe e pagëzuar si “Procesi i Berlinit” ka qenë ndërmarrja dhe suksesi më i madh i kancelares, e cila tashmë po afron dy dekada në pushtet.

Burime të Albanian Post nga Berlini kanë bërë me dije se takimi i Tiranës është edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.

Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore