Shqipëria

Nga 1 Maji Bashkia e Tiranës nis ofrimin e shërbimeve online, mbyllen 40 sportele


Kryebashkiaku Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka njoftuar se nga data 1 Maj, edhe Bashkia e Tiranës do të nisë ofrimin e shërbimeve online në njësitë administrative.

Nga 60 zyra që funksionojnë aktualisht në shërbim të qytetarëve, do të mbyllen 40 të tilla dhe do të qëndrojnë të hapura vetëm shërbimet utilitare, të cilat s’mund të ofrohen online.

“Do ta shfrytëzojmë çdo ditë, deri në datën 1 Maj, për të komunikuar këtë platformë të re të mbylljes së sporteleve fizike në Bashkinë e Tiranës, të cilat u marrin kohë njerëzve”, ka thënë Veliaj.

Për të, është e mundimshme që qytetarët të harxhojnë kohë në radhë të panevojshme për shërbime që janë zgjidhur nga teknologjia.

“Nëse mbledhim orët e radhëve të pritjes në një vit, mund të jenë mjaftueshëm ditë për të bërë shumë gjëra. Por i harxhojmë duke pritur në radhë të panevojshme. Tani shërbimet i merr nga celulari”, ka vijuar ai.

Po ashtu Veliaj ka theksuar faktin se nuk do të ketë reduktim të numrit të punonjësve në zyrat e shërbimeve, pasi tashmë janë trajnuar dhe do të kalojnë për të shërbyer online.

Megjithatë, ai ka treguar se ka shërbime që nuk mund të kryhen dot online, si celebrimet martesore, ku duhet të jenë prezentë çifti dhe dy dëshmitarët.

Kurse shkëmbimi i premtimeve duhet të administrohet nga kryetari i Bashkisë ose kryetari i Njësisë Administrative.

Ngjashëm edhe betimi i shtetasve të huaj që marrin shtetësinë shqiptare nuk mund të kryhet online sepse personi duhet të betohet fizikisht para kryetarit të Bashkisë për besnikëri ndaj Kushtetutës të Shqipërisë.

Megjithatë, “marrja e një certifikatë lindjeje, një certifikatë martesore, një certifikatë e trungut, vërtetime që janë tashmë pjesë e databazës së e-Albania, mund të merren fare lehtë online”.

Sakaq, dokumentet që do të ofrohen online nga 1 Maji nga zyrat e gjendjes civile janë:

  1. Certifikatë personale prej vitit 2010 e në vazhdim.
  2. Certifikatë familjare aktuale prej vitit 2010 e në vazhdim.
  3. Certifikatë nga akti i lindjes prej vitit 2010 e në vazhdim.
  4. Certifikatë nga akti i martesës prej vitit 2010 e në vazhdim.
  5. Certifikatë nga akti i vdekjes prej vitit 2010 e në vazhdim.
  6. Deklarim i adresës së shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  7. Aplikim për ndryshim/saktësim vendbanimi.
  8. Kërkimi i qendrës së votimit (QV).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore