Sport

Neymar-i prioritet, por sytë edhe nga Dembele


Klubi i PSG-së ka prioritet rinovimin e kontratës me yllin brazilian, Neymar. Sulmuesit i skadon kontrata në 2022 dhe klubi dëshiron rinovimin deri në 2026.

Francezët e transferuan Neymar-in nga Barcelona në 2017, për shifren rekord të 222 milionë eurove dhe nuk dëshirojnë largimin e tij, e aq më pak me kosto zero në vitin e ardhshëm.

Braziliani ka qenë i lidhur me një rikthim të mundshëm te Barcelona. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai u ndëshkua me karton të kuq, në ndeshjen e humbur përballë Lille-s, në kampionat duke lëkundur pozitat e PSG-së për titullin kampion. Sipas L’Equipe kartonat e kuq të Neymar-it kanë sjellë pakënaqësi në dhomat e zhveshjes të parizienëve. Ai gjithashtu është ndëshkuar me karton të kuq edhe përballë Bordeaux dhe Marseille-s.

Zërat që janë shfaqur tashmë në kampin e PSG-së për largimin e Neymar-it drejt Barcelona-s, kanë sjellë që PSG të hedhi syë gjithashtu te Barcelona. Ousmane Dembele është lojtari i piketuar nga francezët, raporton Mundo Deportivo.

23-vjeçari që po aktivizohet si qendërsulmues te Barcelona, këtë sezon është duke shkëlqyer nën urdhërat e Ronald Koeman-it. Ideja e PSG-së është e qartë, nëse Neymar-i nuk rinovon së shpejti, ata do të përpiqen që ta shkëmbejnë atë me francezin e Barcelona-s.

Të dy lojtarët kanë kontrata përkatëse me klubet deri në 2022 dhe do shihet si zgjidhja më efikase një shkëmbim mes tyre.

Dembele këtë sezon është aktivizuar në 36 ndeshje me klubin, ku ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar katër asiste. Neymar-i është aktivizuar në 20 ndeshje, nga ku ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar gjashtë asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore