Përballje

Nets, GSW e Bucks triumfojnë në ndeshjet e Krishtlindjeve


Duelet e ditës së Krishtlindjeve në NBA ishin të “zjarrta” dhe dramatike.

Los Angeles Lakers – Brooklyn Nets

Ndeshja mes Los Angeles Lakers dhe Brooklyn Nets përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 115:122.

Një pjesë e madhe e ndeshjes ishte e dominuar nga Nets, por Lakers nuk dorëzoheshin asnjëherë duke ngushtuar rezultatin disa herë.

Në mungesë të Kevin Durant e Kyrie Irving, James Harden udhëheqi i vetëm ekipin e Nets drejt fitores me dyshifrorë të trefishtë, me 36 pikë, 10 asistime e 10 kërcime.

Në anën tjetër, LeBron James pati një performancë të paharrueshme ku shënoi 39 pikë me 9 kërcime e 7 asistime.

Lojtarë të tjerë që kontribuuan në fitoren e Nets ishin Patty Mills me 34 pikë dhe Bruce Brown me 16.

Ndërsa te Lakers, më të mirët ishin Russell Westbrook me dyshifrorë të trefishtë, me 13 pikë, 12 kërcime e 11 asistime, Carmelo Anthony me 17 pikë e 11 kërcime dhe Malik Monk me 20 pikë.

Phoenix Suns – Golden State Warriors

Ndeshja tjetër mes Phoenix Suns dhe Golden State Warriors përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 107:116.

Dueli mes dy skuadrave ishte i baraspeshuar dhe fituesi nuk dihej deri në minutën e fundit.

Te GSW munguan një pjesë e madhe e lojtarëve si Jordan Poole, Andrew Wiggins e Andre Iguodala.

Stephen Curry pati një performancë të mirë me efikasitet të dobët, ku shënoi 33 pikë me 6 asistime.

Ndeshja ishte me rezultat shumë të ngushtë në dy minutat e fundit të ndeshjes, por Otto Porter Jr i dha fitoren GSW duke shënuar tetë pikë radhazi për një minutë.

Lojtar të tjerë që kontribuuan në fitoren e GSw ishin Gary Payton II me 14 pikë dhe Jonathan Kuminga me 12 pikë.

Ndërsa te Suns, më të dalluarit ishin Chris Paul me 21 pikë dhe Deandre Ayton me 18.

Milwaukee Bucks – Boston Celtics

Dueli mes Milwaukee Bucks dhe Boston Celtics përfundoi me fitoren e këtyre të parëve me rezultat 117:113.

Pjesa e parë ishte plotësisht e dominuar nga Celtics, por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë, ku Bucks arritën të marrin edhe fitoren.

Giannis Antetokounmpo ishte vendimtar, i cili shënoi në momentet e fundit dhe bllokoi Robert Williams.

Më të dalluarit te Bucks ishin Giannis me 36 pikë e 12 kërcime, Jrue Holiday me 17 pikë dhe Khris Middleton me po aq pikë sa Holiday.

Ndërsa te Celtics, më të mirët ishin Jayson Tatum e Jaylen Brown me nga 25 pikë secili.

Dy ndeshjet e tjera të NBA në ditën e Krishtlindjeve përfunduan kështu:

New York Knicks – Atlanta Hawks 101:87

Utah Jazz – Dallas Mavericks 120:116

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore