Lajme

Nesër në Albanian Post: Gjithçka që duhet të dini për “Modelin e dy-Gjermanive”


Foto nga Albanian Post

Në arkivin federal të Gjermanisë, mes miliona dokumenteve, mund të gjendet edhe një letër bashkë me njollat që ia ka lënë koha, e përbërë nga 5 faqe dhe 10 nene.

Dokumenti është i nënshkruar në vitin 1972, në dhjetor. Në faqen e fundit, me vula qiriri, janë ngurtësuar edhe stemat e dy shteteve që e nënshkruan – Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane.

Në histori do njihej me emrin “Grundlagenvertrag” ose “Traktati Themelor”.

Me kalimin e viteve dy Gjermanitë s’do t’i rezistonin kohës, dokumenti po.

Ai, 50 vjet më vonë, po ri-lexohet me vëmendje, jo më në Berlin e Bon, por në Prishtinë dhe Beograd.

Serbia sot nuk e njeh Republikën e Kosovës si realitet legal, njëjtë siç pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania Perëndimore nuk e njihte Gjermaninë Lindore. Është gërmuar 50 vjet në të kaluarën, për të gjetur një alternativë valide, të pranueshme, për të dyja palët dhe e nevojshme për gjetjen e një zgjidhje.

Opsioni është aktualisht në debat publik, por siç jo rrallë ndodhë në Kosovë, kur sfera publike ballafaqohet me ide që tentojnë zgjidhjen finale, opsionet refuzohen para se të kuptohen.

Debati udhëhiqet kryesisht nga mendime klishe, fjali konvencionale, të përgjithshme dhe shpjegime banale, apo siç një herë i kishte përmbledhur sociologu francez, Pierre Bourdieu, nga “fast (food) thinkers”.

Çfarë është modeli i dy Gjermanive? Cili ishte konteksti që e solli në jetë? Çfarë përmbante, çka prodhoi dhe çfarë mund të përfitohet tani me këtë model?

Nesër (e mërkurë) në orën 09:00 në Albanian Post, mund ta lexoni tekstin e plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore