Lajme

“Nëse dikush të pyet, thuaji që je nga Shqipëria”


“Nëse dikush të pyet, thuaji që je nga Shqipëria”.

Kjo është ajo që i rekomandonin të thoshte një izraeliti, i cili punon te një kompani me emër kibernetike, para se të fluturonte drejt Arabisë Saudite.

Aty, firma e tij – ashtu si kompania izraelite NSO Group – bënte biznes. Izraeli nuk ka lidhje zyrtare me Arabinë Saudite.

Por, pas skandalit të Projektit Pegasus javën e kaluar, kjo s’do të thotë që Izraeli nuk po ia shet mbretërisë teknologjinë e tij.

Në fakt, “Haaretz” ndihmoi në ekspozimin, sesi suksesi global i NSO-së pati klientë të kërkuar nga Meksika në Indi, madje edhe nga Ruanda.

Të gjitha këto në premisat e një “diplomacie kibernetike” të Izraelit, shkruan e përditshmja “Haaretz”.

Haaretz mori pjesë në hetimin global, duke parë rrjedhjen e rreth 50 mijë numrave të telefonit të zgjedhur nga klientët e NSO-së nga programi spiunues i Pegasus-it (i udhëhequr nga “Forbidden Stories” dhe mbështetur nga Amnesty International, së bashku me 17 media në të gjithë botën).

Shumë pyetje kanë lindur qëkurse Projekti Pegasus bëri publike gjetjet e tij. Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe madje edhe Dalai Lama u zgjodhën si objektiva të mundshëm.

Në artikullin e saj, “Haaretz” shpjegon se dy izraelitë, që punojnë në botën kibernetike, gjatë bisedave japin dy përgjigje të mundshme.

Njërit prej tyre, atij në fillim të këtij artikulli, iu tha të gënjejë se nga ishte.

Ndërsa i pari u këshillua të thoshte se “jam nga Shqipëria”, izraelitit tjetër iu udhëzua të thoshte se “jam nga Malta”.

“Pse?”, shtron pyetjen “Haaretz”.

Përgjigjja është në faktin se izraelitët nuk mund të udhëtojnë në Arabinë Saudite, pasi Izraeli dhe Arabia Saudite nuk kanë lidhje zyrtare.

Në fakt, një tjetër izraelit, i cili udhëtoi në Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të vitit 2019, para se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli të normalizonin lidhjet e tyre si pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit, rrëfen një histori të ngjashme.

Të tre sjellin në vëmendje një detaj të qartë për udhëtimet e tyre klandestine në vendet e Gjirit: ata nuk ishin aspak klandestinë.

Të paktën, deri në momentin kur aeroplani tregtar me të cilin po udhëtonin, u ul.

Të gjithë u ngritën nga kryeqytetet evropiane, duke udhëtuar me emrat e tyre, me pasaportat e tyre izraelite. Sidoqoftë, që të tre shpjegojnë se, pas mbërritjes, një zyrtar nga qeveria lokale hipi në avionin e tyre, duke lejuar që të gjithë pasagjerët e tjerë të dilnin së pari, dhe pastaj vazhduan të ekzaminonin personalisht pasaportën e tyre izraelite.

Në të tria rastet, zyrtari më pas përvetësoi pasaportën dhe personalisht hipi në një makinë, duke pritur posaçërisht për ta në pistë. Pasaporta iu kthye atyre në fund të udhëtimit.

Cila është domethënia e këtyre tregimeve?

Sipas “Haaretz”, ky nuk është trajtimi që një shtetas i huaj merr – dhe sigurisht jo nga një vend pa lidhje diplomatike – kur ata zbarkojnë të paftuar në një tokë të huaj.

“Kjo tregon fuqimisht se këta izraelitë nuk ishin të paftuar dhe nuk ishin atje në një kapacitet thjesht biznesi privat. Në fakt, duket se konfirmon raportimin e kaluar nga Haaretz, që sugjeron që zyrtarë nga të dy shtetet ishin të përfshirë në ndihmën për të pastruar, në mos edhe orkestruar, takimet”.

Në vitin 2020, Chaim Levinson i Haaretz raportoi se Izraeli madje inkurajoi NSO-në për të shitur në vendet e Gjirit.

Sipas inteligjencës së përftuar nga “Haaretz” asokohe, në vitet para 2020, grupi nënshkroi kontrata me Bahreinin, Omanin, Arabinë Saudite, Emiratet e Abu Dhabi-t dhe Ras Al Khaimah.

Raporti vuri në dukje se NSO-ja nuk bën biznes me Katarin – sepse Izraeli e ndalon atë. Në raport madje zbulohet sesi firmat e tilla kanë fjalë të koduara për secilin nga vendet (Arabia Saudite është “Subaru”, Emiratet e Bashkuara Arabe janë “Audi”, Bahreini është “BMW” dhe Jordania është “Jaguar”).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore