Lajme

Projekti Pegasus: Macron mund të ketë qenë “shënjestër”


Baza e të dhënave të zbuluara nga projekti Pegasus ka zbardhur përfshirjen e 14 krerëve të shteteve, mes të cilëve bie në sy prania e presidentit francez, Emmanuel Macron, sipas “The Guardian.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe kryeministri pakistanez, Imran Khan, renditen gjithashtu në të dhënat, të cilat përfshijnë diplomatë, krerë ushtarakë dhe politikanë të lartë nga 34 vende.

Por, “The Guardian” sqaron se shfaqja e një numri në listën e zbuluar – që përfshin numra të zgjedhur nga qeveritë që janë klientë të NSO Group, kompanisë izraelite që ka shitur produktin Pegasus – nuk do të thotë se ai ishte subjekt i një sulmi të suksesshëm.

NSO-ja, sipas “The Guardian”, këmbëngul se baza e të dhënave nuk ka “asnjë rëndësi” për kompaninë.

Kompania sqaroi se Macron nuk ishte “shënjestër” e asnjërit prej klientëve të saj. Kjo do të thotë që kompania mohon se ai ishte zgjedhur për mbikëqyrje, duke përdorur Pegasus-in, spyware-in e tij.

Kompania shtoi se, fakti që një numër u shfaq në listë, nuk ishte në asnjë mënyrë tregues, nëse ai numër ishte zgjedhur për mbikëqyrje duke përdorur Pegasus.

Por, lista tregon individët e identifikuar si persona me interes nga klientët qeveritarë të NSO-së. Ajo përfshin njerëz, të cilët më vonë u vunë në shënjestër për mbikëqyrje, sipas analizës forensike të telefonave të tyre.

NSO-ja këmbëngul që mjetet e saj të fuqishme të spiunimit përdoren vetëm për hetime të ligjshme për terrorizëm ose krim.

“The Guardian” dhe partnerë të tjerë mediatikë në projektin Pegasus, një konsorcium ndërkombëtar, identifikuan ato qeveri që besohet të jenë përgjegjëse për zgjedhjen e numrave individualë në të dhëna, duke shqyrtuar nga afër modelet e përzgjedhjes.

Figurat politike që shfaqen në listë

Presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i cili duket se është përzgjedhur nga zyrtarët e Ruandës në vitin 2019.

Emmanuel Macron, presidenti francez, i cili duket se është zgjedhur si një person me interes nga zyrtarët e Marok-ut në vitin 2019. Një zyrtar i Élysée-s tha se, nëse kjo provohet, është shumë serioze dhe e gjithë vëmendja do të zhvendoset mbi këto zbulime mediatike.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjithashtu duket se ka qenë në interesin e zyrtarëve të Marok-ut në vitin 2019.

Saad Hariri, i cili dha dorëheqjen si kryeministër i Liban-it javën e kaluar, duket se ishte zgjedhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2018 dhe 2019.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, është zgjedhur si një person me interes nga Maroku në vitin 2019, kur ishte kryeministër i Belgjikës.

Mbreti Mohamed VI i Marokut, i cili u zgjodh si një person me interes në 2019, me sa duket nga forcat e sigurisë në vendin e tij.

Saadeddine Othmani, kryeministri i Marokut, i cili gjithashtu u zgjodh si një person me interes në 2018 dhe 2019, përsëri ndoshta nga elementë brenda vendit të tij.

Imran Khan, kryeministri i Pakistanit, i cili u zgjodh si një person me interes nga India në 2019.

Ish-presidenti i Meksikës, Felipe Calderón i Meksikës. Numri i tij u zgjodh në 2016 dhe 2017 nga një klient meksikan gjatë periudhës kur gruaja e tij Margarita Zavala po kandidonte për “ulësen” më të lartë politike të vendit.

Robert Malley, një diplomat i vjetër amerikan, i cili ishte kryenegociatori në marrëveshjen SHBA-Iran duket se është zgjedhur si një person me interes nga Maroku në 2019.

NSO

NSO-ja ka thënë se klientët e qeverisë së saj janë të ndaluar të vendosin software-in e saj kundër numrave të SHBA-ve, sepse është “teknikisht e pamundur”.

Projekti Pegasus nuk mund të ekzaminonte celularët e udhëheqësve dhe diplomatëve dhe, për këtë arsye, nuk mund të konfirmonte nëse kishte pasur ndonjë përpjekje për të instaluar malware në telefonat e tyre.

Përveç mohimit të Macron që mund të ketë qenë një “shënjestër”, një zëdhënës i Grupit NSO-së gjithashtu tha se Mbreti Mohammed VI dhe Tedros Ghebreyesus “nuk janë dhe kurrë nuk kanë qenë, objektiva ose të zgjedhur si objektiva të klientëve të NSO Group”.

Avokatët e NSO-së thanë se firma përcaktoi shënjestrat si njerëz që ishin “zgjedhur për mbikëqyrje, duke përdorur Pegasus”, pavarësisht rezultatit.

Kompania e mbikëqyrjes thotë se nuk ka akses në të dhënat e klientëve të saj, por thotë se ata janë të detyruar t’i sigurojnë firmës informacione të tilla kur t’i vendosin ato nën hetim.

Kompania duket se ka ndërmarrë një hetim të tillë ndaj Marok-ut, i cili besohet të jetë një nga klientët e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore