Lajme

Nënvarianti Omicron BA.2.75 përhapet në të gjithë Indinë dhe pjesë të Evropës


Në Indi, një nënvariant Omicron që po përhapet me shpejtësi mund të jetë më i mirë se llojet e tjera të coronavirus-it në kapërcimin e imunitetit të siguruar nga infektimet dhe vaksinat e mëparshme.

Ai është përhapur edhe në vende të Evropës.

Për nënvariantin BA.2.75, shefja shkencore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Soumya Swaminathan ka thënë se shfaq një “përparësi të qartë rritjeje” ndaj varianteve të tjera në Indi.

Autoritetet globale shëndetësore lëshuan një paralajmërim të ngjashëm kur varianti u shfaq në fund të vitit të kaluar.

Ky lloj është zbuluar në një numër vendesh, duke përfshirë Gjermaninë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-të.

“Tani kemi 169 sekuenca nga 12 vende – rritja e vërejtur është pavarësisht reduktimit të kampioneve në platformën e sekuencës gjenomike Gisaid”, ka thënë Swaminathan.

Megjithatë, ajo ka shtuar se ende nuk dihet nëse varianti është më i rëndë, më i transmetueshëm dhe imun evaziv.

“Çdo variant i ardhshëm do të ketë këto avantazhe nëse duhet të konkurrojë variantet e mëparshme”, ka treguar ajo.

Një avantazh i rritjes mund të jetë për shkak të cilësive të brendshme të virusit ose ndryshimeve në imunitetin e popullatës.

Fillimisht, varianti u identifikua në Indi dhe pseudonimi Centaurus më vonë qarkulloi në Twitter.

Sakaq, autoritetet globale shëndetësore nuk u përfshinë në dhënien e një emri. OBSH-ja, e cila mbikëqyr procesin, e emëroi Omicron dhe nuk do të ofronte një tjetër për një nënvariant.

Përparimi i llojit vjen teksa autoritetet shëndetësore po luftojnë me një rigjallërim të pandemisë, të nxitur kryesisht nga nënvarianti BA.5 Omicron.

Sipas OBSH-së, ka një “rritje në trend” në raportimet e rasteve gjatë javës së kaluar, diçka që është shqetësuese duke pasur parasysh reduktimin e testimit global të coronavirus-it.

Këtë javë, autoritetet shëndetësore evropiane rekomanduan përshtatshmëri më të gjerë për përforcuesit e dytë, duke thënë se ata mbi 60 vjeç dhe ata që janë të imunokompromentuar duhet të marrin një të tillë.

Edhe autoritetet amerikane kanë lëshuar më parë një thirrje të ngjashme.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore