Stil

Nensi Dojaka, stilistja e vitit në Britaninë e Madhe


Stilistja shqiptare e dalluar për modelet me prerje të ndërlikuara, Nensi Dojaka, rrëmben çmimin e radhës të dizajnerëve në zhvillim.

Ajo ka marrë çmimin e Fondacionit të Këshillit Britanik të Modës për talentin e dizajnerëve në zhvillim, i cili iu dha në ngjarjen vjetore të çmimeve të modës, duke u shpallur stilistja e vitit në Britaninë e Madhe.

Kurse në muajin shtator, ishte fituese e çmimit prestigjioz të Fondacionit Louis Vuitton, “LVMH”, i dhënë për talentet në zhvillim.

Ky çmim përfshinte një dhuratë prej 300 mijë euro dhe një vit mentorim.

Dhe Dojaka po i përdor fondet për të zgjeruar ekipin e saj dhe ofertën e produkteve, si dhe për të zhvendosur prodhimin nga Mbretëria e Bashkuar në Itali, tregon prestigjiozja “Vogue”.

Ky ndryshim reflekton synimin që marka e saj e vetëfinancuar të jetë fitimprurëse brenda vitit të ardhshëm.

Çka e reja e talentuar krijon tani është fryt edhe i studimeve të saj të mëparshme.

Duke u zhvendosur në Londër në moshën 17-vjeçare, Dojaka përfundoi ciklin e parë të studimeve në Kolegjin e Modës në Londër, ku studioi dizajn të të brendshmeve.

Më pas, përparoi në kursin e ciklit të dytë studimor në Central Saint Martins, ku koleksioni i saj i diplomimit rezultoi në një koleksion me Ssense në vitin 2019.

Një vit më vonë , Lulu Kennedy, themeluesja e Fashion East, një inkubator i talenteve të reja të dizajnit, e mori nën mbikëqyrjen e vet.

Teksa marka e vet rritej, Dojaka e gjeti veten që duhej të menaxhonte pritshmëritë e partnerëve të shitjes me shumicë dhe të shtypit, të cilët prisnin të shihnin risi të vazhdueshme në produktin dhe tregtimin e saj.

“Pas çmimit ‘LVMH’, ndjeva shumë më tepër presion sepse njerëzit prisnin të shihnin se çfarë do të ndodhte më pas dhe ende janë kështu”, ka thënë ajo, duke shtuar se “industria pret shumë, shumë shpejt. Gjërat kërkojnë kohë”.

Është një kurth në të cilin bien shumë stilistë të rinj në një moment që duhet të fokusohen në tregimin e markave të tyre, ka treguar specialistja e shitjeve me pakicë, Susanne Tide-Frater.

“Kjo është e ndërlikuar, pasi shitësit me pakicë duan gjithmonë më shumë. Ekziston një tundim i madh për të krijuar gamë të mëdha për të shprehur kreativitetin dhe për të ndërtuar markën”, ka thënë ajo.

Një pamje e re e femërores

Kthesa për Nensi Dojakën erdhi kur Bella Hadid veshi një nga pjesët e saj në MTV Video Music Awards 2020, përpara prezantimit të saj Pranverë/Verë 2021.

Hadid postoi gjithashtu një foto të veshjes në platformën Instagram, e cila grumbulloi mbi 20 mijë e 930 pëlqime, dallon “Vogue”.

“Ishte ekspozim i madh dhe shumë blerës erdhën të më shihnin për herë të parë”, ka rrëfyer Dojaka.

Fustani i zi asimetrik ishte në indeksin e platformës globale të blerjeve të modës, Lyst, për dhjetë produktet më të nxehta të grave për tremujorin e parë të vitin 2021.

Renditja e vendosi dizajnin e saj krahas stileve të lakmuara nga Gucci, Bottega Veneta dhe Hermès.

Sipas Sarah Mower, kritike kryesore e “Vogue”, Dojaka shquhet për shkak të “pamjes së freskët të femërores në kontekstin e të treguarit më shumë të trupit, por është e balancuar me rrobaqepësinë dhe tregon mënyrën sesi gratë e reja duan të vishen”.

Madje, juria e Çmimit “LVMH” e vlerësoi Dojakën si një stiliste “në ballë të një tendence të re të rëndësishme në modë, ku rrobat ekspozojnë trupin shumë më tepër nga sa jemi mësuar të shohim”.

Mower thekson se njohuritë teknike të Dojakës janë avantazhi i saj më i madh.

“Ajo ka njohuritë më të pabesueshme profesionale në inxhinierinë e të brendshmeve për shkak të diplomës së saj të parë. Ajo inxhinieron rripat në mënyrë që të qëndrojnë në trup dhe ato janë gjithashtu të rregullueshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, “jo çdokush mund ta bëjë këtë pa qenë specialist”.

Rritje e ngadaltë

Përparimi i ngadaltë, tregon “Vogue”, por i qëndrueshëm është parimi personal udhëzues i Dojakës.

Tani për tani, ajo po shikon me kujdes se cilat pjesë po marrin blerësit dhe se ku reagojnë më mirë konsumatorët.

“Çdo vendim është i menduar mirë”, ka treguar ajo.

“Mund të kisha bërë më shumë në sezonet e mëparshme, por nuk dua të zgjerohem si e çmendur. Është e rëndësishme që shitja të jetë e mirë në përgjithësi. Duhet të marrësh vendime të ngadalta”, ka theksuar Dojaka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore