Kosova

Nënsekretarja e Shtetit në Kosovë – integrimi e siguria në fokus të vizitës


Antony Blinken dhe Elizabeth Allen

Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, do të qëndrojë gjatë javës në Kosovë në kuadër të një turneu në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilit do të qëndrojë edhe në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, në përpjekje për të thelluar partneritetin dhe për të avancuar bashkëpunimin rajonal drejt integrimit evropian.

Në Prishtinë, nënsekretarja Allen do të takojë presidenten dhe kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani dhe Albin Kurti – ku do të diskutohet për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin midis dy vendeve për të luftuar dezinformimin dhe ndikimin malinj të aktorëve të jashtëm.

Ajo do të vizitojë edhe pjesëtarët e shërbimit amerikan në kuadër të Misionit Paqëruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) të dislokuar në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e SHBA-së për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, posaçërisht duke pasur parasysh mjedisin e rënduar pas agresionit rus në Ukrainë, por edhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Ndryshe, nënsekretarja Allen shërbeu në organet e komunikimit dhe lidershipit amerikan në Shtëpinë e Bardhë gjatë tetë viteve të administratës së presidentit të 44-të të SHBA-së, Barack Obama, duke përfshirë zyrën e zëvendës-presidentit dhe Departamentin e amerikan të Shtetit (DASH).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore