Villarreal ka arritur një fitore të madhe në fushën e Betis-it, për të ashpërsuar edhe më shumë garën për Champions në La Liga.
Pas fitores së Barcelonës përballë Atletico-s, dhe fitores së Villareal-it, pesë skuadra në La Liga tani ndahen me pesë pikë në luftën për ‘top 4’, nga vendi i tretë deri në të shtatin.
Dy skuadrat vinin në këtë ndeshje në formë shumë të mirë.
Betis erdhi pas fitores 0-4 përballë Real Sociedad për të arritur gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, kurse Villarreal pas fitores 3-0 në La Liga përballë Mallorca-s.
Ndeshja në fakt ishte shumë e barashpeshuar.
Të dy skuadrat kishin nga nëntë goditje, dhe nga tre në drejtim të portës.
Mirëpo, më të saktë u treguan mysafirët.
Skuadra e drejtuar nga Unai Emery shënoi nga një në dy pjesët, për të arritur tri pikë të arta.
Në pjesën e parë, gjatë një goditje këndi, Pau Torres kërceu më lartë se të gjithë për të drejtuar topin në rrjetë.
Kurse në pjesën e dytë, ishte Ettiene Capoue ai që shënoi për të vulosur rezultatin përfundimtar, 0-2.
Betis ndodhet në vendin e tretë me 40 pikë, kurse Villarreal në vendin e gjashtë me 35.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com